Ky shtet europian ka nevojë për gati 20 mijë shtëpi të tjera në vit për të përmbushur kërkesat!
Edel Strazimiri / SCAN
Irlanda duhet të ndërtojë rreth 20,000 prona shtesë çdo vit nëse dëshiron të përmirësojë krizën kombëtare të strehimit të vendit, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore Irlandeze. Vendi, një nga vendet brenda BE-së me krizën më të rëndë të strehimit, ka kosto mbresëlënëse për strehim. Në vitin 2022, ishte dyfishi i mesatares së BE-së.
Situata është aq e rëndë sa punëdhënësit, përfshirë Ryanair, kanë filluar t’i marrin gjërat në duart e tyre duke blerë prona për t’u dhënë me qira punonjësve të tyre. Tregu irlandez i banesave ka qenë duke luftuar me më shumë se një dekadë mungesë të furnizimit, sipas Bankës Qendrore Irlandeze.
Gjatë 10 viteve të fundit, popullsia e Irlandës është rritur aq shumë sa tre në katër persona nuk mund të gjejnë prona të disponueshme për të marrë me qira ose për të blerë. Në shumë raste, kostoja e pronës e ka bërë atë të papërballueshme për punëtorin mesatar.
Qeveria irlandeze ka rritur shpenzimet për strehimin nga rreth 1 miliardë euro në 6.5 miliardë euro në vit, kështu që shpenzimet e saj për strehimin janë tani një nga më të lartat në Bashkimin Europian.
Plani i qeverisë i titulluar “Strehimi për të gjithë” premton të sigurojë strehim të përballueshëm për çdo qytetar. Deri më tani janë ndërtuar mbi 30 mijë banesa në vitin 2022 dhe 2023, me objektiv 33 mijë për çdo vit. Objektivi u përmbush vitin e kaluar dhe banka qendrore pranon se “oferta e banesave është rritur ndjeshëm vitet e fundit”.
Megjithatë, të nxitur nga kërkesa e lartë, çmimet e banesave vazhdojnë të rriten. Sipas Zyrës Qendrore të Statistikave të Irlandës, indeksi i fundit i çmimeve të pronës banesore tregoi një rritje prej 9.6% në 12 muajt deri në fund të korrikut 2024.
Banka qendrore po bën thirrje për një rritje të objektivit vjetor, duke shpjeguar se “rritja e popullsisë ka tejkaluar pritshmëritë e mëparshme në vitet e fundit”.
Ajo zbulon se një kërkesë e “mbytur” është akumuluar gjatë dekadës së fundit dhe popullsia pritet të rritet në mënyrë të qëndrueshme gjatë dekadave të ardhshme. Banka sugjeron ndërtimin e 52,000 shtëpive çdo vit deri në mesin e shekullit, nëse oferta do të plotësojë kërkesën.
Banka qendrore thekson se përmbushja e kërkesës nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e numrit të banesave. Ajo thotë se produktiviteti i sektorit të ndërtimit duhet të përmirësohet, pasi “kriza financiare ka lënë shenja afatgjata mbi të”. Gjithashtu shton se sektori po mbështetet shumë në ndërmarrjet e vogla dhe kompanitë duhet të investojnë në pajisje dhe të adoptojnë teknologji moderne.
Sipas analizës, sektori ka nevojë për 6.5 miliardë euro deri në 7 miliardë euro në vit mbi dhe përtej shpenzimeve aktuale nëse dëshiron të arrijë kërkesat e tanishme dhe të ardhshme për strehim. Banka pranon se kostoja është e lartë, por paralajmëron se një vonesë do të jetë më e kushtueshme për ekonominë në planin afatgjatë.
Mungesa e strehimit dhe rritja e kostos së jetesës do të përfundojë duke i kushtuar më shumë biznesit në Irlandë dhe përfundimisht do të dëmtojë konkurrencën dhe rritjen e qëndrueshme në periudhën afatmesme, beson raporti i bankës.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.