Shqipëria Postuar më 13 Qershor 2026, 10:41

Hekurudhat, asistencë për përafrimin e ligjeve me BE-në/ Shpallet fituesi i kontratës 641 mijë euro, projekti do të zgjasë 15 muaj

Nga Ola Mitre

Hekurudhat, asistencë për përafrimin e ligjeve me BE-në/

Asistenca teknike që synon përafrimin e legjislacionit të sektorit hekurudhor me atë të Bashkimit Evropian do të kushtojë 641 mijë euro pa TVSH. Tenderi ishte publikuar edhe në faqen e prokurimeve publike të BE-së, ndërsa fitues është shpalur konsorciumi i kryesuar nga kompania serbe EPTISA Southeast Europe, në partneritet me kompaninë spanjolle EPTISA Servicios de Ingenieria.

Projekti financohet përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA III) dhe do të zbatohet për një periudhë 15-mujore.

Sipas dokumenteve të tenderit, objektivi kryesor është mbështetja e Shqipërisë në harmonizimin e politikave dhe legjislacionit hekurudhor me acquis të BE-së, si dhe forcimi i kapaciteteve administrative të institucioneve të reja që do të operojnë në këtë sektor. Projekti parashikon hartimin dhe prioritizimin e kuadrit ligjor hekurudhor në përputhje me standardet evropiane, si dhe trajnime dhe aktivitete për ngritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe autoriteteve të tjera hekurudhore.

Ky projekt vjen në një kohë kur Shqipëria po investon në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore, me projekte si rehabilitimi i linjës Tiranë–Durrës dhe ndërtimi i degëzimit drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Paralelisht me investimet fizike, vendi po avancon edhe me reformat institucionale të kërkuara në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe Kapitullit 14 “Politikat e Transportit”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat