Legalizimet, si ndryshon procesi për tapinë? – Afati përfundon në 2028, Bici: Në trajtim edhe 237 mijë dosje
Ada Hazizolli/ SCAN
Më shumë se 230 mijë familje në të gjithë vendin nuk janë pajisur ende me lejen e legalizimit, ndërsa angazhimi është që ky proces të përmbyllet deri në vitin 2028. Në takimin e zhvilluar me kryebashkiakët e vendit, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama, drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës Dallëndyshe Bici tha se prej 2013-s, kur u reformua edhe baza ligjore dhe deri më tani, pra në harkun e një dekade janë lëshuar rreth 250 mijë leje legalizimi, çka tregon se procesi është thuajse në gjysmë të rrugës.
“Nga 2006, kur e ka zanafillën ky proces deri në vitin 2013 ishin vetëm 20 mijë dosje me vendime përfundimtare. Në momentin që po flasim kemi 250 mijë dosje të cilët kanë një vendimmarrje përfundimtare. Megjithatë mbetet akoma punë për të bërë janë 237 mijë dosje të cilat presin të shqyrtohen dhe të kenë një vendim përfundimtar”, u shpreh Bici.
Ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” përcakton që deri në fund të vitit 2028 të ketë përfunduar praktika e formalizimit të ndërtimeve pa leje. Për të përshpejtuar këtë proces, Qeveria do të angazhojë edhe bashkitë.
“Ligji ka parashikuar si afatin përfundimtar për mbylljen e këtij procesi vitin 2028, por tashmë me bashkëpunimin tuaj të gjithë bashkive, ASHK angazhohet që t’i japim një hov dhe një ritëm më të shpejtë sidomos në zonat e banimit dhe në zonat ku ju i keni zona prioritare”, shtoi më tej drejtoresha e Kadastrës.
Qëllimi për të përfshirë edhe bashkitë, duke mos ja lënë më atë që Kryeministr Rama e cilësoi “monopolin e zgjidhjes” Kadastrës, është jo vetëm për përshpejtimin e procesit por edhe për të shmangur abuzivitetin. Kështu, bashkitë do të kenë tagrin që të udhëzojnë zyrat e Kadastrës mbi dosjet që duhet të marrin në shqyrtim. Trajtimi i çdo aplikimi do të bëhet bazuar në rendin kronologjik, duke nënkuptuar këtu që aplikimet më të hershme do të kenë përparësi.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.