Lëvizja e radhës për të menaxhuar ekonominë/ Banka qendrore e Rusisë ul normën bazë të interesit në 14%
Banka qendrore e Rusisë uli normën bazë të interesit në 14% në një lëvizje më të mprehtë se sa pritej dhe tha se ka hapësirë për të ulur më tej normat këtë vit, ndërsa përpiqet të menaxhojë një ekonomi në tkurrje dhe inflacion në rritje. Banka qendrore në prill kishte ulur papritur normën bazë në 17%.
Vendimi I fundit tejkaloi pritjet për një lëvizje prej 200 pikësh në një sondazh të Reuters, për të cilën guvernatorja Elvira Nabiullina tha se ishte opsioni tjetër që banka kishte marrë në konsideratë. “Sot, ne shohim hapësirë për një ulje tjetër të normës përpara fundit të vitit,” tha Nabiullina në një konferencë për media.
“Ne do të marrim vendimet tona të mëtejshme për politikën monetare duke pasur parasysh se ekonomia duhet të përshtatet me ndryshimet dinamike. Stabiliteti i çmimeve është gjithmonë prioriteti kryesor për ne pasi është kritik për një rritje të qëndrueshme ekonomike,” tha ajo.
Analistët kishin parashikuar se Rusia do të kishte nevojë për norma më të ulëta përballë një recesioni ekonomik të afërt pas vendosjes së sanksioneve të paprecedentë nga Perëndimi.
“Dinamika e kursit të këmbimit të rublës do të mbetet një faktor domethënës që do të formësojë rrugën e inflacionit dhe pritjeve inflacioniste”, thuhet në një deklaratë të bankës qendrore. Ekonomia e Rusisë e varur nga eksporti do të tkurret 8-10% këtë vit, treguan parashikimet e bankës qendrore.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.