Listimet e Airbnb në New York bien me 70% – Por, emigracioni po shkakton tension në qytet
Listimet e Airbnb në New York kanë rënë me 70% që nga zbatimi i ligjit të ri që kërkon që pronarët e apartamenteve me qira afatshkurtër të listojnë shtëpitë e tyre. Nga 4 gushti deri në 5 shtator, kur masat e reja hynë në fuqi, rreth 15,000 prona u zhdukën papritur nga listat e Airbnb. Të dhënat u publikuan nga organizata Inside Airbnb, një grup që monitoron listat në platformë. Në gusht kishte 22,000 prona me qira afatshkurtër në vend dhe deri më 5 shtator ky numër ishte reduktuar në 6,841.
Megjithatë, disa nga pronat janë shndërruar në qira afatgjatë, që presupozon që ato të mund të merren me qira për të paktën 30 ditë. Veçanërisht, apartamentet me qira afatgjatë u rritën nga 11,000, në 32,612 në fillim të shtatorit. Nga të dhënat e para duket se ligji i ri po zbatohet efektivisht dhe në një periudhë kur banorët e qytetit po përballen me qira të larta dhe pasiguri banesash. Në të njëjtën kohë, qiratë afatshkurtra përkeqësojnë problemet sociale si zhurma, mbeturinat dhe krimi në blloqe banesash dhe lagje të tëra.
Ndërkohë, emigracioni po shkakton tension në qytet, pasi aty mbërrijnë çdo muaj rreth 10 mijë emigrantë të rinj ekonomikë dhe azilkërkues. “Kriza e emigracionit do të shkatërrojë New York-un”, deklaroi së fundmi Eric Adams, kryebashkiaku demokrat i metropolit amerikan. Deklaratat e tij nxitën reagime të forta nga organizatat e mbrojtjes së emigrantëve dhe u konsideruan si raciste.
Në një vit e gjysmë, më shumë se 110,000 emigrantë mbërritën në New York, një qytet me 8.5 milionë banorë. Disa prej tyre u dërguan nga shtetet në kufi me Meksikën që drejtohen nga guvernatorë republikanë, të cilët po marrin autobusë për të transportuar emigrantët në bastionet demokrate si Nju Jorku, Uashingtoni dhe Los Anxhelosi.
Në SHBA, emigracioni është një çështje e zjarrtë politike, me republikanët që shfrytëzojnë çdo mundësi për të akuzuar presidentin Joe Biden për kthimin e kufirit të vendit me Meksikën në një pikë kalimi për emigrantët e paligjshëm. Qyteti i New York-ut, me ligj, duhet të sigurojë strehim, ushqim dhe kujdes për këdo që aplikon për azil.
Dorian Koça/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.