“Loja” saudite dhe ruse me naftën – Zgjatet në kohë reduktimi i prodhimit, rriten çmimet
Arabia Saudite ka vendosur të zgjasë në kohë reduktimin e prodhimit të naftës me 1 milion fuçi në ditë dhe për tre muaj të tjerë, që nga tetori deri në fillim të dhjetorit. Në të njëjtën linjë veprimi është dhe Rusia, e cila konfirmoi reduktiket e prodhimit me vetëm 300 mijë fuçi në ditë. Menjëherë pas konfirmimit të këtij lajmi çmimi i naftës u rrit me 2 % duke shkuar në 87.23 dollarë për fuçi.
Brent ‘fluturon’ mbi pragun e 90 dollarëve. Nafta e Detit të Veriut rritet me 1.6% në 90.44 dollarë për fuçi duke prekur një rekord të ri që nga nëntori i kaluar. Mediat shtetërore të lajmeve të Arabisë Saudite konfirmuan se ky reduktim vullnetar i mëtejshëm i prodhimit ndodh në kuadër të përpjekjeve të vendeve të OPEC+ për të arritur ojektivin e mbrojtjes së qëndrueshmërisë dhe ekuilibrit të tregjeve të naftës.
Nga ana e saj agjencia ruse e lajmeve Tass, citoi Aleksandër Novak, zv/kryeministrin rus dhe ish-ministër Energjie, i cili deklaroi se Moska do të vazhdojë të reduktojë prodhimin deri në 300 mijë fuci në ditë.
Reduktimi nga ana e Arabisë Saudite, që filloi në muajin korrik, ndodh në një moment që vende të tjera prodhuese anëtare të OPEC+ kanë rënë dakord të zgjasin në kohë reudktimet e mëparshme të prodhimit deri vitin e ardhshëm.
Kjo situatë pritet të shkaktojë pasoja të konsiderueshme në ekonominë botërore, në një periudhë ngadalësimi të përgjithshëm. Indeksi i prodhimit të Eurozonës i përpunuar nga S&P Global, i llogaritur në bazë të mesatares së përfituar nga treguesit e prodhimit dhe shërbimit, ka zbritur në muajin gusht në 46.7 nga 48.6 në muajin korrik. E dhëna e fundit sinjalizon muajin e tretë rradhazi të kontraktimit të prodhimit dhe rënien më të madhe që nga nëntori i 2020 – ës.
Arabia Saudite është veçanërisht e interesuar për të rritur çmimin e naftës për të financuar Vision 2030, një plan ambicioz për reformimin e ekonomisë së mbretërisë, por dhe për të reduktuar varësinë e saj nga nafta e për të krijuar vende pune për një popullsi të re. Plani parashikon projekte të ndryshme infrastrukturorë të përmasva të mëdha, mes të cilëve dhe ndërtimin e një qyteti të së ardhmes me një kosto prej 500 miliardë dollarësh, të quajtur Neom.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.