Lufthansa blen Ita Airways? – Kompania gjermane: Italia tregu më i rëndësishëm pas SHBA
Lufthansa ka dorëzuar në ministrinë italiane të ekonomisë një kërkesë për blerjen e një pjese të aksioneve të kompanisë ajrore shtetërore Ita Airways. Plani parashikon arritjen e marrëveshjes për blerjen fillimisht të një kuote të vogël, duke kënë të hapur mundësinë për blerjen e pjesës tjetër të aksioneve në një moment të dytë.
Sipas mediave italiane, kuota fillestare është 35 – 40%. Grupi gjerman propozon hartimin e një ‘memorandumi mirëkuptimi’ për fillimin e negociatave ekskluzive. Tashmë pritet përgjigja e qeverisë italiane.
Në deklaratën për media të kompanisë gjermane theksohet se marrëveshja do të përqendrohet kryesisht në formën e një investimi të mundshëm aksioner, në integrimin tregtar dhe operativ të ITA në grupin Lufthansa Airline.
Deklarata për privatizimin e publikuar më 2 janar parashikon blerjen e aksioneve të ITA Airways nëpërmjet abonimit të një rritjeje të kapitalit të rezervuar, ndërsa çmimi i blerjes duhet të marrë parasysh kapitalin e ITA-s. Në fund të dhjetorit ITA Airways kishte rreth 530 milionë euro cash. Në vlerësimin e kompanisë duhet pasur parasysh se deri në mars do të mbërrijnë 250 milionë euro, falë injektimit të fundit të burimeve publike pas miratimit nga Brukseli.
Javët e fundit është folur për sinergji të mundshme për aktivitete që variojnë nga mirëmbajtja e operatorëve deri tek blerjet, dhe tek mbrojtja e karburanteve, që përfaqëson një nga elementet kryesorë të kostos për llogaritë e ITA. Me anë të kësaj marrëveshjeje, ITA do të hyjë në rrjetin e Lufthansa së bashku me Austrian Airlines, linjat ajrore të Brukselit, Eurowings dhe Swiss. Por do të rezultojë me daljen nga SkyTeam dhe hyrjen në Star Alliance e cila shërben në më shumë se 1250 aeroporte në 195 vende me mbi 19 mijë fluturime ditore.
Grupi Lufthansa nënvizon gjithashtu se Italia është “tregu më i rëndësishëm jashtë tregjeve kombëtare dhe Shteteve të Bashkuara”, rëndësia e Italisë “për biznes dhe udhëtime private qëndron në ekonominë e saj të fortë të orientuar drejt eksportit dhe në statusin e një prej pikave kryesore të pushimeve në Europë”.
Integrimi me një transportues më të madh është i nevojshëm për të zbatuar një plan ambicioz zhvillimi, i cili parashikon një zgjerim të flotës me hyrjen e 39 avionëve të gjeneratës së re gjatë këtij viti, për të përmirësuar lidhjet veçanërisht në periudhën e gjatë më fitimprurëse dhe për të punësuar 1200 persona të tjerë, përveç 3600 punonjësve aktualë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.