“Lumë” kërkesash për ALBGAZ – ERE: Kompania të thithë investime, masa për uljen e kostove energjetike të biznesit dhe familjeve
Kompania publike e gazit ALBGAZ duhet të ndërmarrë një sërë politikash, në mënyrë që të arrijë në mënyrë graduale zhvillimin e tregut të gazit, që aktualisht është një proces që kërkon burime njerëzore të mëdha dhe të kushtueshme, së bashku me shtrirje kohore të zgjeruara”.
Konstatimi vjen nga Enti Rregullator i Energjisë, që i kërkon kompanisë ALBGAZ ndërhyrje konkrete, që paraqesin rëndësi për sektorin. Më konkretisht, kompania shtetërore e gazit sipas ERE-s duhet të krijojë kushte për përftimin e investimeve të huaja direkte në këtë segment të industrisë, si dhe për përmirësimin e furnizimit me energji në nivel industrial, shërbimesh dhe rezidencial.
Gjithashtu, kërkohen masa për krijimin e kushteve për zhvillim të qëndrueshëm industrial dhe ulje kostosh energjetike në nivel prodhimi mallrash dhe shërbimesh, si dhe ulje në përgjithësi e faturës energjitike të konsumatorit familjar fundor.
Ndërhyrje kërkohen edhe në drejtim të burimeve njerëzore, ku sipas Enti Rregullator të Energjisë duhet të kirjohen kushte për rritjen e punësimit në sektor dhe në industritë që kanë impakt prej sektorit të gazit, si dhe për krijimin e kapaciteteve njerëzore në vend në drejtim të paraprojektimit, projektimit, menaxhimit të investimeve, duke rezultuar në zbatimin efektiv dhe eficent të aktiviteteve përkatëse në industrinë e gazit.
Këto kërkesa të ERE-s vijnë në një kohë ku Masterplani i Gazit, miratuar në nëntor të vitit 2016 është ende në letër, ndonëse aktualisht duhet të kishin përfnuduar një sërë projektesh.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.