Makinat elektrike, prodhuesit: Duhet më shumë kohë! – Afati për zëvendësimin e plotë minimalisht duhet të jetë deri në vitin 2040
Kompanitë prodhuese të automjeteve janë gati për sfidën e daljes nga qarkullimi të atyre me motor me djegie. Por sipas prodhuesve do të ishte më mirë të shtyhej data deri në 2040-ën, pasi pothuajse të gjithë ata kanë hedhur në treg modele hibride në 3 – 4 vitet e fundit dhe duhen dy cikle për t’i amortizuar. Pra pesë vjet më shumë se afati i caktuar nga Bashkimi Europian, në mënyrë që sektori i automjeteve të ketë kohë për t’u përgatitur me tranzicion që përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe zinxhirin e prodhimit.
Pikërisht kjo e fundit është një nga pikat kryesore të këtij procesi dhe Europa në mënyrë që të mos jetë e varur nga Azia, do të duhet të marrë masat. Sipas ekspertëve deglobalizimi synon afërsinë gjeografike për të ndërtuar një sistem furnizuesish më pranë, dhe në kuadër të prodhimit në vende të konsideruara mike.
Pavarësisht nëse do të jetë në 2035-ën apo në 2040-ën, heqja nga qarkullimi i automjeteve me motor me djegie, procesi ka nisur. Kompani të ndryshme prodhimi kanë nisur riorganizimin e thellë, që përfshin prodhimin, burimet njerëzore dhe asetet e shoqërisë.
Analistët parashikojnë se gjatë këtij tranzicioni dhe sidomos në përfundim të tij do të shkurtohen me mijëra vende pune, por do të krijohen më shumë vende të reja pune. Kur sektori hyn në një teknologji ai prodhon mjaftueshëm vëllime për të ulur kostot dhe duke e bërë këtë është në gjendje të demokratizojë teknologjinë. Europa do të pozicionohet me teknologjinë më të mirë të gjelbër dhe do ta eksportojë atë, komentojnë ekspertët e sektorit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.