Mal i Zi, paga mesatare neto shkon 861 euro – Të ardhurat shënuan një rritje prej 7,8% krahasuar me 2023
Kristi Ceta/SCAN
Të ardhurat mesatare pa taksa dhe kontribute në Malin e Zi shkuan 861 euro në muajin gusht, sipas të dhënave të Monstat, 1,2 për qind më të larta se në korrik. Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, paga mesatare neto në gusht shënoi rritje prej 7,8 për qind. Paga mesatare bruto në gusht ishte 1,08 mijë euro.
Nëse merret parasysh se çmimet e konsumit në gusht në krahasim me korrikun shënuan rritje prej 0,4 për qind, rezulton se pagat reale për të njëjtën periudhë shënuan rritje prej 0,8 për qind, thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas sektorëve të aktivitetit, të ardhurat mesatare pa taksa dhe kontribute në muajin gusht krahasuar me muajin e kaluar shënuan rritje në sektorët e tregtisë me shumicë dhe pakicë, në riparimin e automjeteve dhe motoçikletave me tre për qind, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 2,3 për qind. Gjithashtu, informacioni dhe komunikimet u rritën me 2,1 për qind, ndërsa bujqësia, pylltaria, peshkimi dhe ndërtimi me 1,9 për qind secila.
Të ardhura të larta neto mujore janë regjistruar në kategoritë e aktivitetit financiar dhe aktivitetit të sigurimit, me 1,342 euro, furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar me 1,243 euro. Informacioni dhe komunikimi shënuan 1,117 euro fitime, ndërsa biznesi imobiliar 1,040 euro.
Rënie e fitimeve mesatare neto në muajin gusht krahasuar me një muaj më parë është shënuar në sektorët e shëndetësisë dhe kujdesit social me 1,6 për qind, minierat dhe guroret me 0,6 për qind dhe industria përpunuese me 0,1 për qind.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.