Maqedoni e Veriut, kosto e jetesës u rrit me 3% – Inflacioni shton presionin e qytetarëve për paga më të larta
Kristi Ceta / SCAN
Sipas statistikave të fundit, inflacioni në Maqedoninë e Veriut vijon të rrisë çmimet, veçanërisht të ushqimeve, duke e ndërlikuar edhe më shumë jetën e përditshme të familjeve. Në korrik, kostoja e jetesës u rrit me 3% me bazë vjetore, ndërsa çmimet me pakicë u rritën me 3.9%.
Kjo tendencë e rritjes së çmimeve, e cila vihet re edhe në baza mujore me inflacion prej 0.7% dhe rritje të çmimeve me pakicë me 1.5%, shkakton shqetësim tek qytetarët të cilët shprehin pasigurinë e tyre për shkak të stagnimit të pagave.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të rezultojë në një eksod të fuqisë punëtore, veçanërisht nëse pagat nuk fillojnë të përshtaten me rritjen e kostove të jetesës.
Për të mbajtur fuqinë punëtore dhe për të shmangur emigrimin e saj në kërkim të kushteve më të mira, është thelbësore që pagat në sektorin publik dhe privat të fillojnë të rriten, shprehen ekonomistët.
Qytetarët po përballen gjithnjë e më shumë me dilemën nëse duhet të shpenzojnë më shumë për nevojat elementare apo të kursejnë, gjë që komplikon edhe më shumë vendimet e tyre financiare.
Sipas llogaritjeve, një e treta e parave ose 22.008 denarë shkojnë për ushqim dhe pije, pastaj për shpenzime të përgjithshme me 6.014 denarë, arsim 7.022, veshmbathje dhe këpucë 4.979 denarë, ndërsa akoma më pak para shkojnë për shëndetin.
Pritet që qeveria dhe sektori privat së shpejti të marrin masa për përmirësimin e standardit të pagave në vend, për të garantuar siguri ekonomike për qytetarët dhe për të shmangur krizën e mundshme të fuqisë punëtore.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.