Mark Zuckerberg, 10 miliardë USD më i pasur – Ecuria fitimprurëse e ka çuar vlerën e aksioneve mbi 500 dollarë
Kristi Ceta/ SCAN
Shefi ekzekutiv i Meta, Mark Zuckerberg u bë personi i tretë më i pasur në botë, falë rritjes së vlerës së aksioneve të gjigantit të teknologjisë, me fitime tremujore më të mëdha se sa pritej.
Aksionet e Meta Platforms u rritën me 6%, me 504,31 dollarë secili. Kompania, e cila raportoi të mërkurën fitimet e tremujorit të dytë që përfshinin 39 miliardë dollarë hyrje, tani ka një kapitalizim tregu prej 1.25 trilionë dollarë.
Kjo ka sjellë një rritje prej rreth 10 miliardë dollarësh në vlerën neto të Zuckerberg, që u vlerësua në 176.8 miliardë dollarë, sipas listës së miliarderëve të Forbes.
Udhëheqësi i Meta ende mbetet pas CEO-s së Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, pasuria neto e të cilit është rreth 237 miliardë dollarë, si edhe themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, me një pasuri rreth 204 miliardë dollarë.
Të ardhurat e kompanisë kaluan pritshmëritë e Wall Street me afërsisht 800 milionë dollarë, sipas vlerësimeve të përpiluara nga FactSet. “Ne patëm një tremujor të fortë dhe Meta AI është në rrugën e duhur për të qenë asistenti më i përdorur i inteligjencës artificiale në botë deri në fund të vitit”, tha Zuckerberg në një deklaratë.
Meta konfirmoi, megjithatë, se ende pret “rritje të konsiderueshme të shpenzimeve kapitale në 2025”. Zuckerberg po kërkon dominimin e Meta në hapësirën e inteligjencës artificiale, duke pretenduar se Llama 3.1, i nxjerrë në shitje së fundmi, do të jetë “më i avancuari në industri” deri në fillim të vitit të ardhshëm. Dhe ai ka treguar se është i gatshëm të shpenzojë edhe më shumë seç duhet për të vazhduar përparimet e Meta në IA dhe për të mbajtur ritmin me konkurrentët.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.