Marrëveshja ambicioze e BE – Objektiva më ambicioze për energjinë e rinovueshme deri në vitin 2030
Negociatorët e Bashkimit Europian arritën një marrëveshje politike për objektiva më ambicioze për të zgjeruar përdorimin e energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030, një pikë e rëndësishme e planeve të bllokut për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për t’i dhënë fund përdorimit të karburanteve fosile ruse.
Vendet anëtare dhe Parlamenti Europian ranë dakord që deri në vitin 2030, BE do të marrë 42.5% të energjisë së saj nga burime të rinovueshme si era dhe dielli. Marrëveshja politike tani duhet të miratohet nga Parlamenti Europian dhe secili nga vendet anëtare, përpara se të kthehet në ligj.
Ligji i ri do të zëvendësojë objektivin aktual të BE-së për një pjesë prej 32% të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030. BE-ja përfitoi 22% të energjisë nga burimet e rinovueshme në vitin 2021, por niveli ndryshonte ndjeshëm midis vendeve. Suedia kryeson 27 vendet e BE-së me pjesën e saj prej 63% të energjisë së rinovueshme, ndërsa në Luksemburg, Maltë, Holandë dhe Irlandë, burimet e rinovueshme përbëjnë më pak se 13% të totalit të energjisë.
Një zhvendosje e shpejtë drejt energjisë së rinovueshme është thelbësore nëse BE dëshiron të përmbushë objektivat e saj për ndryshimin e klimës, duke përfshirë një synim ligjërisht të detyrueshëm për të ulur emetimet neto të gazeve serrë me 55% deri në vitin 2030, kundrejt niveleve të 1990-ës.
Objektivat e energjisë së rinovueshme kanë fituar një rëndësi të veçantë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, pasi BE është zotuar t’i japë fund varësisë së saj nga lëndët djegëse fosile ruse deri në vitin 2027 dhe planifikon ta bëjë këtë kryesisht përmes energjisë së prodhuar në vend, me karbon të ulët.
Arritja e qëllimeve të reja do të kërkojë investime masive në fermat e erës dhe ato diellore, rritjen e prodhimit të gazeve të rinovueshme dhe përforcimin e rrjeteve të energjisë në Europë për të integruar më shumë energji të pastër.
Komisioni Europian ka thënë se deri në vitin 2030 do të nevojiten investime shtesë prej 113 miliardë euro në energjinë e rinovueshme dhe infrastrukturën e hidrogjenit, për t’i dhënë fund varësisë nga karburantet fosile ruse.
Dorina Kurtaj/SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.