Mbi 6700 biznese “dalin” nga tregu – Shifrat e tatimeve në 7 muaj. Kaluan në status pasiv
Në 7 muajt e parë të këtij viti numri i bizneseve që kanë dalë nga tregu duket se është i lartë. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të përpunuara nga SCAN TV, përgjatë periudhës Janar-Korrik 2022, në total 6773 subjekte kanë kaluar në status pasiv. Pavarësisht rigjenerimit të ekonomisë përgjatë këtij vitit dhe rikuperimit nga efektet e pandemisë Covid19, duket se shumë biznese nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Kjo lidhet edhe me çmimet dhe rrjedhimisht edhe kostot e rritura përgjatë kësaj periudhe për sipërmarrjet. E ndarë sipas Drejtorive Rajonale, vihet re se Tirana zë vendin e parë për numrin e subjekteve të transefuara nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, me 3064 të tilla. Lista vijon kryesisht me qarqet e mëdha, si Durrësi, Fieri, Shkodra, Elbasani dhe Vlora. Ndërsa me më pak subjekte të “shuara”, rezulton Dibra dhe Kukësi, të cilat konsiderohen edhe si qarqe me zhvillim të pakët ekonomik.
Sipas legjislacionit në fuqi, një subjekt transferohet nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv në rast se nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm; apo apo deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore. Në regjistër janë të pasqyruara të gjitha bizneset që nga viti 1991 e më tej, që kanë marrë status pasiv.
Numri total i subjekteve të listuara aktualisht arrin në rreth 140 mijë. Qëllimi i publikimit të kësaj liste është që të vihen në dijeni palët e treta për të mos kryer transaksione (shitje – blerje) me subjekte të cilët janë pjesë e regjistrit pasiv. “Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me këtë ligj”.
Elisabeta Dosku / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.