Më shtrenjtë në shtëpi apo restorant për vit të ri? – Dilema e fundvitit. Sa kanë ndryshuar cmimet krahasuar me 2021?
Inflacioni i lartë dhe kriza e çmimeve nuk mund të mos reflektonte as në çmimet e restoranteve për festat e fundvitit. Mbarimi i festave të nëntorit na përballi në rrjetet sociale me paketat e ndryshme që bizneset ofrojnë për të joshur sa më shumë qyetarë që të përzgjedhin të kalojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri pranë restoranteve të tyre.
Për të parë sesi variuan çmimet Scan Tv kreu një analizë duke filluar nga restorantet e thjeshta deri tek ata më në zë në kryeqytet, menuja e të cilave përfshinë edhe këngëtar live apo DJ që ndikojnë në pagesë.
Menuja e restoranteve të thjeshta të cilët përfshijnë mesore, 1 pjatë kryesore dhe ëmbëlsirë dhe një pije varion nga mesatarisht 3 mijë e 500 lekë lekë deri në 5 mijë lekë. Ndërsa për restorantet më në zë në kryeqytet menuja përfshin mesore, disa pjata me ushqime dhe pije të ndryshme. Por edhe këngëtar dhe Dj ishin të përfshirë në këto çmime që në total varionin nga 7 mijë lekë e deri në 15 mijë lekë personi.
Nga ana tjetër tavolina për një familje me 4 persona në shtëpi me produktet bazë të shportës do të kushtojë rreth 27.3 mijë lekë një rritje 29.8% më shumë se një vit. Pavarësisht se krahasuar me 2021 çmimet e restoranteve të analizuara më lartë mesatarisht janë rritur me 13% përsëri ata mbeten më të shtrenjtët për tryezën festive.
Marinela Lina / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.