Miratimi mes debatesh i projektit për Durrësin, reagon Alabbar: “Projekt transformues për të cilin kemi punuar shumë”
Një ditë pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes për realizimin e projektit “Durrës Yachts & Marina” ka reaguar dhe sipërmarrësi Mohamed Alabbar që ka firmosur kontratën me qeverinë shqiptare. Në një prononcim për “Arabianbusiness”, sipërmarrësi nga Dubai deklaroi se është punuar shumë për këtë projekt transformues.
“Është një projekt transformues, diçka për të cilën ne kemi punuar shumë në prapaskenë për një kohë të gjatë. Unë me të vërtetë nuk mendoj se ju do të gjeni diçka të tillë të ngjashme”
Artikulli evidenton se projekti i miratuar pas një debati maratonë në Kuvend, ndër të tjera do të mundësojë edhe ndërtimin e terminalit të parë për kroçierat ndërkombëtare.
Kuvendi miratoi ditën e enjte në një seancë maratonë projektin e Durrësit me 74 vota pro dhe 35 kundër. Ky projekt parashikon ndërtimin hoteleve, rezidenca private, shëtitore, dyqane, restorante superluksoze dhe mbi 80 mijë metra katrorë parqe dhe hapësira të hapura, dhe 170 dyqane tregtare rreth portit të ri.
Opozita e ka kundërshtuar ashpër projektin me argumentin se shkel Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe çështja është parashikuar të bëhet pjesë e gjykimit të trupës së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian ka anuluar një grant të rëndësishëm që ishte parashikuar për këtë port.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.