Miratohet marrëveshja me KfW-në/ Balluku: 3.5 milionë euro shtesë për rindërtimin e shkollave!
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëri të ditur sot gjithashtu se do të akordohen edhe 3.5 milionë euro të tjera në funksion të ndërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
Në pronononcimin e saj për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Balluku informoi mbi marrëveshjen shtesë të grantit dhe projektit ndërmjet Shqipërisë, KfW-së gjermane dhe FSHZH-së për programin e rindërtimit të ndërtesave publike.
“Kjo është një marrëveshje e rëndësishme, pasi do të ndikojë në rindërtimin e shkollave të shkatërruara gjatë tërmetit 2019, duke pasur parasysh se ne e kemi nisur prej kohësh këtë proces. Me shtimin e kësaj marrëveshje do të akordohen 3.5 milionë euro në funksion të ndërtimit të këtyre shkollave, por do të ketë edhe shërbime inxhinierike për të gjitha objektet e parashikuara që të përfshihen në marrëveshje”, tha ajo.
Një tjetër marrëveshje e rëndësishme e miratuar sot, sipas Ballukut është edhe ajo me GIZ, për shërbimet e furnizimit me ujë. “Marrëveshja që i ofron këtij sektori rreth 1.5 milionë euro që do të ofrohen nga GIZ për të vazhduar të gjitha proceset që ne kemi nisur në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve”, tha ajo.
Po ashtu, Balluku informoi se në mbledhjen e sotme është miratuar projektvendimi mbi normat e ndërtimit të spitaleve dhe klinikave mjekësore. “Ky është një projektvendim i propozuar nga MIE duke pasur parasysh kushtet dhe specifikat që duket të kenë ndërtesat e spitaleve dhe ato ambulatore. Kemi pasur një boshllëk në fushën e rregullimit sa i përket këtyre ndërtimeve. Me aktin e sotëm plotësohen objektivat si rritja e cilësisë në ofrimin e shërbimeve në spitale dhe klinika, përmirësimi i vazhdueshëm i proceseve projektuese të lidhura me objektet spitalore etj. Synimi është përafrimi me kuadrin rregullator të BE-së”, tha ajo.
Balluku sqaroi se në mbledhjen e sotme janë miratuar edhe disa vendime mbi shpronësimet, mjaft të rëndësishme për të avancuar me të gjitha projektet infrastrukturore që ka pushteti vendor por edhe pushteti lokal.
E . S / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.