Monitorimi i hipertensionit me anë të zërit – “IA” studion veçoritë vokale për të zbuluar presionin e lartë të gjakut
Kristi Ceta/SCAN
Studiuesit në Klick Labs kanë bërë një zbulim inovativ në monitorimin e shëndetit. Ata kanë zhvilluar një teknikë të re, joinvazive që parashikon presionin e lartë të gjakut (hipertension) duke përdorur vetëm zërin e një personi.
Kjo metodë, me ndihmën e inteligjencës artificiale, ofron një vështrim emocionues në të ardhmen e zbulimit të hershëm të hipertensionit. Duke shfrytëzuar bioshënuesit vokalë, Klick Labs synon të përmirësojë rezultatet shëndetësore me një mjet që është sa i aksesueshëm, aq edhe efektiv.
Studimi përfshiu 245 pjesëmarrës të cilët regjistronin zërat e tyre deri në gjashtë herë në ditë për dy javë. Ata përdorën një aplikacion për celular të krijuar nga Klick Labs, i cili analizon këto regjistrime zanore për të zbuluar presionin e lartë të gjakut.
Algoritmet e aplikacionit ekzaminojnë veçori delikate vokale, të tilla si ndryshueshmëria e zërit dhe modelet e energjisë së të folurit, për të parashikuar hipertensionin me saktësi të dukshme. Për femrat, aplikacioni arriti deri në 84 për qind saktësi, ndërsa për meshkujt arriti në 77 për qind.
Hipertensioni, i quajtur shpesh si “vrasësi i heshtur” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), prek mbi 25 për qind të popullsisë globale. Fatkeqësisht, shumë nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre dhe pjesa më e madhë e të diagnostikuarve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose mesatare. Metodat tradicionale të matjes së tensionit, të tilla si përdorimi i aparatit të krahut ose pajisjeve automatike, mund të jenë të kushtueshme dhe kërkojnë ekspertizë teknike.
Ndërsa teknologjia e re paraqet një zgjidhje premtuese. Ajo ofron një mënyrë për të kontrolluar hipertensionin që është më e lehtë dhe më e arritshme se metodat tradicionale.
Ky studim shënon hapin e parë të madh të Klick Labs në përdorimin e teknologjisë së zërit për gjendjet shëndetësore përtej diabetit. Hulumtimi i tyre i mëparshëm tregoi se analiza e zërit, e kombinuar me inteligjencën artificiale, mund të kontrollonte në mënyrë efektive diabetin e tipit 2. Përveç kësaj, një studim i fundit në Raportet Shkencore konfirmoi lidhjen midis niveleve të glukozës në gjak dhe lartësisë së zërit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.