Muzika “live”, impakt rekord 6.1 mld paund – Britani, mbi 55,000 koncerte u zhvilluan në vitin 2023
Kristi Ceta/ SCAN
Shpenzimet në sektorin e muzikës “live” në Mbretërinë e Bashkuar kanë arritur një rekord prej 6.1 miliardë paundësh, ndërsa një valë e madhe artistësh si Elton John apo Beyoncé kanë shfrytëzuar kërkesën e shtuar të njerëzve për të ndjekur këto evente.
Federata që përfaqëson industrinë e muzikës “live” të Britanisë, zbuloi se kontributi i sektorit në ekonomi i kaloi 6 miliardë paundët për herë të parë vitin e kaluar. Kjo shifër, që përfshin ndikimin ekonomik të më shumë se 55,000 koncerteve, festivaleve dhe ngjarjeve, është 17% më e lartë se në vitin 2022 dhe 35% më e lartë se para pandemisë në vitin 2019.
Rritja u nxit kryesisht nga të koncertet e mëdha si ato të Beyoncé dhe Coldplay, që përbënin pothuajse tre të katërtat e ndikimit ekonomik prej 6.1 miliardësh.
Sipas të dhënave, për çdo 10,000 njerëz që ndjekin një koncert të muzikës “live”, shpenzohet 1 milion paund në bizneset përreth vendit, si restorante dhe bare, ofrues transporti, shitës, dyqane të pavarura dhe hotele.
Shifrat tregojnë se Londra dominon në skenën e muzikës “live”, duke kontribuar me gati 31% të totalit prej 6.1 miliardë paundësh. Kryeqyteti ndiqet nga Manchesteri me 7.4% dhe Glasgou me 5.5%, ndërsa Birmingham, Edinburg, Cardiff, Belfast, Leeds, Sheffield dhe Liverpool përbëjnë pjesën tjetër të 10 kontribuesve kryesorë.
Raporti gjithashtu vlerësoi se industria mbështeti punësimin e pothuajse 230,000 njerëzve vitin e kaluar, një rritje prej 9.4% që nga viti 2019.
Ndër emrat më të mëdhenj të muzikës që mbajtën koncerte dhe festivale vitin e kaluar në Britani ishin dhe Madonna, The Killers e Taylor Swift.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.