Nafta Brent ngjitet pranë 84 USD – Stuhia e dëborës në SHBA mund të ketë dëmtuar prodhimin dhe logjistikën
Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, për shkak të shqetësimeve se stuhia e dëborës në Shtetet e Bashkuara ka dëmtuar logjistikën dhe prodhimin e naftës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 84 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 80 dollarë për fuçi.
Të premten e javës së kaluar, nafta Brent u rrit me rreth 3.6%, ndërsa nafta Bruto u rrit me rreth 2.7%. Ky është sesioni i parë për tregjet për këtë javë, pasi e hëna ishte pushim me rastin e Krishtlindjes. Një stuhi vdekjeprurëse paralizoi Buffalon, në Nju Jork, në Ditën e Krishtlindjeve, duke bllokuar shoferët dhe punonjësit e shpëtimit brenda automjeteve të tyre. Gjithashtu, u anuluan rreth 2,700 udhëtime ajrore vetëm shtunë.
Gjithashtu, çmimet kanë gjetur një mbështetje edhe nga paralajmërimi i Rusisë për të ulur prodhimin, në shenjë hakmarrje ndaj vendimit të G7-ës për të vendosur tavan mbi çmimet. Sipas zëvëndëskryeministrit rus, Alexander Novak, prodhimi i naftës mund të reduktohet mes 5% dhe 7%, në fillim të vitit 2023, në përgjigje të tavanit të çmimeve.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.