Nafta Brent zbret drejt 81 USD – Ndikohet nga protestat në Kinë, tregjet presin takimin e OPEC+
Nafta ka rënë me mbi 2 dollarë në sesionin e sotëm dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 11 muajt e fundit. Çmimet po gjenden nën presion nga vala e protestave në shumë qytete të Kinës, kundër masave të Covid-19. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 81 dollarë për fuçi dhe ka humbur rreth 2.6% të vlerës. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 74 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga 27 dhjetori i vitit të kaluar.
Gjatë javës së kaluar, ndërkohë, të dyja kontratat publikuan humbje për të tretën javë me radhë. Në këtë situatë, analistët parashikojnë se nafta Bruto amerikane do të tregtohet në intervalin nga 70 deri në 75 dollarë për fuçi. Gjithsesi, ecuria e tregut do të përcaktohet edhe nga takimi i ardhshëm i OPEC+ dhe nga tavani ndaj çmimeve të naftës ruse.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, me në krye Rusinë, që ndryshe njihen si OPEC+ do të takohen më 4 dhjetor, një ditë përpara se Bashkimi Europian të zbatojë embargon ndaj naftës bruto ruse. Ndërkohë, vala e mosbindjes civile në Kinë është përhapur në qytetet më të mëdha dhe është më e madhja që kur presidenti Xh Jinping mori pushtetin rreth 1 dekadë më parë. Njerëzit shprehen të lodhur nga politika “zero-Covid”, e cila është ende në fuqi rreth 3 vite pas fillimit të pandemisë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.