Nafta humb rreth 2 dollarë të enjten – Mesazhe konfliktuale mes Rusisë dhe Arabisë Saudite mbi prodhimin

Nafta po qëndron në rritje të lehtë në sesionin e sotëm, pas humbjeve të konsiderueshme të realizuara në sesionin e kaluar. Çmimet po gjenden nën presion nga mesazhet konfliktuale mes Rusisë dhe Arabisë Saudite, në lidhje me politikat e prodhimin dhe vendimet që do të merren në takimin e qershorit. Edhe forcimi i dollarit amerikan po ushtron presion mbi çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 2 dollarë.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 72 dollarë për fuçi. Një ditë më parë, zëvëndëskryeministri i Rusisë, Alexander Novak hodhi poshtë mundësitë për të ulur sërish prodhimin në takimin e 4 qershorit. Më herët, Arabia Saudite kishte sinjalizuar se e mbështet një tjetër ulje të kuotave të prodhimit.
Edhe presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi më herët gjatë javës se çmimet i janë afruar niveleve të justifikueshme ekonomike dhe sinjalizoi se nuk do të ketë ndryshime të politikave të prodhimit. Investitorët vijojnë të jenë të fokusuar edhe te negociatat për rritjen e tavanit të borxhit në SHBA.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.