Nafta, në rënie pavarësisht tensioneve – Tregtarët po vlerësojnë rreziqet në furnizimin e tregut
Nafta e ka nisur këtë javë në rënie të lehtë, pas fitimeve të realizuara javën e kaluar, ndërsa tregtarët po vlerësojnë rreziqet e ndërprerjes së furnizimit nga Lindja e Mesme, si pasojë e sulmeve të forcave amerikane dhe britanike për të ndaluar agresionin e grupit Houthi në Jemen, ndaj anijeve në Detin e Kuq. Nafta Brent e Londrës po tregtohet poshtë 78 dollarëve për fuçi, ndërsa të premten u rrit me 1.1%.
Nafta bruto amerikane po tregtohet pranë 72 dollarëve për fuçi, pas rritjes me 1% të premten. Të dyja kontratat u rritën me mbi 2%, gjatë javës së kaluar, duke prekur nivelin më të lartë për këtë vit, për shkak të rritjes së tensioneve në Lindjen e Mesme. Analistët shprehen se, ka rreziqe që mund të dëmtojnë ofertën e tregun duke pasur parasysh përshkallëzimin e tensioneve në Detin e Kuq. Të dielën, Houthi kërcënoi me një “kundërpërgjigje të fortë dhe efektive” pasi Shtetet e Bashkuara kryen një tjetër sulm gjatë natës. SHBA më vonë tha se rrëzoi një raketë që ishte lëshuar drejt një prej anijeve të saj, nga zonat ku operon Houthi në Jemen.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara i kishin dërguar një mesazh privat Iranit, në lidhje me sulmet e Houthi. Disa kompani anijesh cisternë dhe transporti po e shmangin Detin e Kuq, duke ndjekur itinerare më të gjata. Megjithatë, deri më tani konflikti në Lindjen e Mesme nuk po e ndikon furnizimin e tregut me naftë, por primi i rrezikut gjeopolitik është pak më i lartë. Nëse do të ketë një ndërprerje të qarkullimit të anijeve edhe në Ngushticën e Hormuzit, atëherë analistët parashikojnë një rrijte të çmimit të naftës me 20% vetëm në muajt e parë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.