Nafta ngjitet pranë 83 USD për fuçi – Rusia do të ulë eksportet me 25% drejt porteve europiane
Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke zgjeruar fitimet e një dite më parë, për shkak të pritshmërive se Rusia do të ulë eksportet, duke eklipsuar të dhënat në SHBA mbi rritjen e rezervave. Nafta Brent e Londrës i është afruar nivelit të 83 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi.
Në sesionin e kaluar, të dyja kontratat u rritën me rreth 2%, pasi Rusia planifikon të ulë eksportet drejt tregjeve europiane me 25% gjatë marsit, një shifër më e lartë krahasuar me njoftimin e mëparshëm për të ulur eksportet me 500 mijë fuçi.
Në anën tjetër, rezervat e naftës në SHBA prekën nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2021. Rezervat e naftës bruto u rritën me 7.6 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 17 shkurt, në totalin e 479 milionë fuçive. Megjithatë, pavarësisht rritjes në dy sesionet e fundit, çmimet pritet të publikojnë ndryshime të vogla javore, ndërsa javën e kaluar ranë me rreth 4%.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.