Nafta, pranë 87 dollarë për fuçi – Mbështetet nga rënia e rezervave në SHBA dhe nga “hapja” e Kinës
Nafta po shfaqet e qëndrueshme në sesionin e sotëm, por u rrit ndjeshëm gjatë sesionit të kaluar amerikan dhe aziatik. Çmimet po mbështeten nga pritshmëritë se kërkesa do të rimëkëmbet ndjeshëm nga Kina, për shkak se autoritetet po vlerësojnë lehtësimin e kufizimeve kundër Covid-19. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 87 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 80 dollarë për fuçi. Disa provinca të mëdha kineze njoftuan lehtësimin e masave kundër Covid-19 por edhe rënie të numrit të infektimeve.
Megjithatë, aktiviteti i biznesit në Kinë ra më tej gjatë nëntorit, duke shtuar frikën për një ngadalësim gjatë vitit të ardhshëm. Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës bruto ranë me 13 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, rënia me e madhe që nga viti 2019.
Në anën tjetër, sipas të dhënave të Administratës për Informimin mbi Energjinë, prodhimi i naftës bruto në SHBA kaloi 12 milionë fuçi në ditë, niveli më i lartë që përpara periudhës së pandemisë. Në fokus të tregjeve do të jetë edhe takimi i OPEC+, që zhvillohet më 4 dhjetor, ku do të përcaktohen politikat e prodhimit për të ardhmen.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.