Nafta, sesioni i tretë me radhë në rritje – Mbështetet nga dobësimi i dollarit amerikan dhe nga rimëkëmbja e kërkesës

Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke zgjeruar fitimet e dy ditëve më parë, për shkak të dobësimit të dollarit amerikan dhe shqetësimeve që kanë të bëjnë me furnizimin e tregut. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 83.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 77 dollarë për fuçi.
Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan ra në rreth 103.3, pas komenteve të bëra nga shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell, duke e bërë naftën më të lirë për zotëruesit e monedhave të tjera.
Me një ngadalësim të rritjes së normave të interesit, tregjet shpresojnë se ekonomia më e madhe në botë mund ta shmangë recesionin gjatë këtij viti.
Referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 2.2 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 3 shkurt, ndërsa analistët e anketuar nga Reuters parashikonin një rritje me 2.5 milionë fuçi. Megjithatë, analistët presin të dhënat zyrtare që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme nga Administrata për Informimin mbi Energjinë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.