Nafta zbret poshtë 96 USD – Tregu karakterizohet nga paqëndrueshmëria, rritet kërkesa nga Kina
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të ndjeshme në sesionin e sotëm, duke kthyer një pjesë të fitimeve të një dite më parë. Megjithatë, nafta pritet të publikojë fitime javore për shkak të shqetësimeve që kanë të bëjnë me ngadalësimin e furnizimit të tregut. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 96 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me 1.3%.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 88 dollarë për fuçi, ndërsa një ditë më parë u rrit me 0.6%. Të dyja kontratat kanë fituar mbi 3% të vlerës gjatë kësaj jave. Analistët shprehen se rritja e fortë e ekonomisë amerikane në tremujorin e tretë të këtij viti sugjeron se SHBA po e përballon shumë mirë krizën e çmimeve.
Investitorët parashikojnë se, paqëndrueshmëria në tregje do të vijojë, sepse rezervat globale janë të ulëta, në një kohë që Bashkimi Europian pritet të aplikojë sanksione ndaj naftës ruse duke filluar nga dhjetori. Në këtë situatë, vendet europiane do të përpiqen të blejnë më shumë naftë, përpara se të hyjë në fuqi embargoja. Në anën tjetër, kërkesa pritet të rritet ndjeshëm nga Kina dhe rafineritë kanë filluar të përpunojnë më shumë naftë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.