Ndërtimi dhe shërbimet “ushqejnë” ekonominë – Rritja e PBB në gjysmën e parë të vitit arrin në 3.9%
Elisabeta Dosku/ SCAN
Sektori i ndërtimit dhe shërbimeve japin kontributin kryesor në ekonominë shqiptare, ndërsa rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit vlerësohet në 3.9 për qind.
Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto për 3-mujorin e dytë të 2024-ës, ku rritja reale rezulton në 4.06 % në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2024 vlerësohet me rritje 4,06% në terma reale kundrejt tremujorit të dytë të vitit 2023. Kontribut pozitiv kanë dhënë degët tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor me +1.12%, ndërtimi me +1.12 %, administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, me +0.86 %, aktivitete profesionale dhe shërbim administrative me 0.62%, bujqësi pyje dhe peshkim me +0.17%, aktivitete të pasurive të paluajtshme me 0.13%, aktivitete financiare dhe të sigurimit me 0.13 %; arte , argëtim dhe çlodhje me 0.06%. negativisht ka kontribuuar grupi industri, energji dhe ujë me 0.96%, informacioni dhe komunikacioni me 0.11%.; taksat neto mbi produktet kontribuuan pozitivisht me 0.92%.”
Sa i takon shpenzimeve, të dhënat tregojnë rritje të konsumit të popullatës me 6.01% në tremujorin e dytë të vitit në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Konsumi i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 6.01%, konsumi final i popullsisë u rrit me 6.72 %, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4.89 %, ndërsa importet e mallrave u rritën me 5.64%.
Në buxhetin e vitit 2024, rritja ekonomike e projektuar nga qeveria është në nivelin 3.8 %.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.