Ndizet debati presidencial në SHBA – Trump-Harris përplasen për ekonominë dhe abortin
Kristi Ceta/SCAN
Republikani Donald Trump dhe Zëvendëspresidentja Demokratike Kamala Harris u hodhën menjëherë në sulm në segmentin e hapjes së debatit të tyre të parë presidencial.
Harris, 59 vjeçe, sulmoi synimin e Trump për të vendosur tarifa të larta për mallrat e huaja, një propozim që ajo e ka krahasuar me një taksë shitjeje për klasën e mesme, ndërsa promovoi planin e saj për të ofruar përfitime tatimore për familjet dhe bizneset e vogla.
“Donald Trump na la me papunësinë më të keqe që nga Depresioni i Madh”, tha Harris, duke iu referuar viteve të tij si president nga 2017-2021. Papunësia arriti kulmin në 14.8% në prill 2020 dhe në 6.4% kur ai u largua nga detyra. Ishte shumë më e lartë në Depresionin e Madh.
Trump, 78 vjeç, kritikoi Harris për inflacionin e vazhdueshëm gjatë mandatit të administratës Biden, megjithëse ai e hiperbolizoi rritjen e çmimeve. Ai gjithashtu u fokusua te çështja e tij kryesore, imigracionit, duke pretenduar përsëri pa prova se emigrantët nga “azilet e të çmendurve” po kalojnë kufirin jugor të SHBA-së me Meksikën. Inflacioni, tha ai, “ka qenë një fatkeqësi për njerëzit, për shtresën e mesme, për çdo klasë.”
Debati filloi me një shtrëngim duarsh të papritur mes dy kundërshtarëve, të cilët nuk ishin takuar kurrë më parë. Harris iu afrua Trump-it në foltoren e tij, duke u prezantuar me emër, në atë që ishte shtrëngimi i parë i duarve në një debat presidencial që nga viti 2016.
Harris bëri një sulm të gjatë mbi kufijtë e abortit, duke folur me pasion për gratë që u mohohet kujdesi urgjent dhe viktimat e incestit, që nuk mund të ndërpresin shtatzënitë e tyre për shkak të ndalimeve mbarëkombëtare që kur Gjykata e Lartë e SHBA eliminoi këtë të drejtë në 2022. Tre të emëruar nga Trump ishin te shumica e atij vendimi.
Ajo gjithashtu pretendoi se Trump do të mbështeste një ndalim kombëtar, një pohim që kundërshtari e quajti gënjeshtër.
Trump pretendoi në mënyrë të rreme se Harris dhe demokratët mbështesin vrasjen e foshnjave, e cila, siç vuri në dukje moderatorja Linsey Davis, është e paligjshme në çdo shtet.
“Qeveria dhe Donald Trump sigurisht që nuk duhet t’i thonë një gruaje se çfarë të bëjë me trupin e saj,” tha Harris. “Kjo është e pamoralshme.”
Harris gjithashtu kërkoi të lidhë Trump me Projektin 2025, një plan politikash konservatore që propozon zgjerimin e pushtetit ekzekutiv, eliminimin e rregulloreve mjedisore dhe synon të bëjë të paligjshëm dërgimin e pilulave të abortit nëpër linjat shtetërore.
Trump u përgjigj se ai nuk ka “asnjë lidhje” me Projektin 2025, megjithëse disa nga këshilltarët e tij ishin të përfshirë në krijimin e tij.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.