Ndotja e ajrit në Tiranë, tej normave – Monitorimi i organizatave, në 400 stacione. Agjenica Kombëtare e Mjedisit s’jep asnjë të dhënë
Rezultatet nga matjet periodike për cilësinë e ajrit në 400 stacione në Bashkinë e Tiranës tregojnë se nivelet e ndotësve janë tej normave të lejuara. Matjet janë kryer nga një konsorcium organizatash gjatë muajit Shtator 2022, duke nxjerrë një pah një panoramë që nuk është bërë publike nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, që është institucioni përgjegjës në këtë drejtim.
Sipas matjeve të kryera 3 muaj më parë, rezulton se ka tejkalim të standardit të Bashkimit Evropian për nivelin e lejuar të dyoksidit të karbonit, dyoksidit të azotit, si dhe grimcave PM10 dhe PM2.5, që janë edhe ndotësit kryesorë në ajër. Por, teksa këto rezultate tregojnë se ndotja e ajrit është problem në pjesën më të madhe të qytetit, në raportin e fundit vjetor të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, nuk jepe asnjë e dhënë në këtë drejtim.
Në dokumentin e AKM-së thuhet se monitorimi e cilësisë së ajrit urban është kryer në qytetet kryesore të vendit si: Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Berat, Lezhë dhe Vlorë, ndërkohë që Tirana, ku jeton 1/3 e popullisisë nuk është përfshirë në monitorim. Më herët, ekspertët kanë argumentuar për TV SCAN se monitorimi si proces ndihmon në marrjen e masave për parandalimin e përkeqësimit së gjendjes mjedisore në lidhje me ajrin.
Gjithashtu, sipas tyre ai është një mjet, që në kohë reale arrin të gjenerojë të dhëna të cilat shërbejnë për sensibilizimin dhe reagimin ndaj përkeqësimit të nivelit të ndotjes dhe mbajtjes në kontroll të cilësisë mjedisore.
Sipas mjekëve, ekspozimi ndaj ajrit të ndotur, sidomos grimacat PM10 dhe PM2.5 kanë ndikim të madh në shëndet, ndërkohë që të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë shkaktari kryesor i vdekjeve, me rreth 50% të rasteve, ndërkohë që sëmundje të aparatit të frymëmarrjes shkatojnë çdo vit rreth 500 vdekje.
Ola Mitre /SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.