Ndryshimet klimatike 3-fishojnë mundësinë e zjarreve – Rreth 4 Mln km katror tokë u dogjën globalisht në vitin 2023
Kristi Ceta/SCAN
Rreth 4 milionë kilometra katrorë tokë u dogjën globalisht gjatë vitit 2023. Zjarret e mëdha në Kanada dhe në pjesë të Amazonës kishin të paktën trefish më shumë gjasa të ndodhnin për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas një raporti të ri. Ndërsa zjarret në Greqi, ku flakët po digjen aktualisht rreth Athinës, ishin dyfish më të mundshme për të njëjtën arsye.
Raporti ‘Gjendja e Zjarreve’, i publikuar nga Universiteti i Anglisë Lindore është inventarizimi i parë vjetor i zjarreve ekstreme. Sipas tij, nëse nuk do të kishte qenë një vit i qetë në savanat afrikane, emetimet nga zjarret në mbarë botën do të kishin qenë më të mëdhatë që nga viti 2003.
Vitin e kaluar, flakët në Kanada çuan në më shumë se 230,000 evakuime dhe tetë zjarrfikës humbën jetën. Gjithashtu, zjarret në shtetet e Amazonës si Brazili, Bolivia, Peru dhe Venezuela shkaktuan probleme të mëdha. Përhapja e flakëve shkaktoi 131 viktima në Kili, 100 në Hawaii dhe 19 në Greqi.
Në Kanada, një dekadë emetimi nga karboni u regjistrua në një sezon të vetëm, më shumë se 2 miliardë ton CO2. Këto emetime rrisin më tej përqendrimet atmosferike të CO2, duke përkeqësuar ngrohjen globale.
Studiuesit zbuluan se moti i karakterizuar nga kushte të thata dhe të nxehta që e bëjnë flakën më të mundshme për t’u ndezur, është intensifikuar për shkak të ndryshimeve klimatike. Është praktikisht e sigurt që zjarret ishin më të mëdha gjatë zjarreve të vitit 2023 në Kanada dhe Amazonë për këtë arsye, shprehen shkencëtarët.
Frekuenca dhe intensiteti i zjarreve ekstreme do të rriten deri në fund të këtij shekulli, veçanërisht nëse emetimet e gazeve serrë mbeten të larta, thonë autorët e raportit. Këto parashikime theksojnë nevojën urgjente për të reduktuar me shpejtësi emetimet e këtyre gazeve.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.