Ndryshimet klimatike dyfishojnë mundësinë e përmbytjeve – Ngrohja globale rrezikon të përkeqësojë reshjet në të ardhmen
Kristi Ceta/SCAN
Përmbytjet që vranë 24 njerëz në Evropën Qendrore në fillim të këtij muaji u shkaktuan nga reshjet që janë bërë dyfish më të mundshme nga ndryshimet klimatike, tha një grup shkencëtarësh.
Stuhia Boris përfshiu Evropën Qendrore nga 12 deri më 16 shtator, duke përmbytur Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë, Austrinë, Çekinë, Italinë dhe Gjermaninë me shira të rrëmbyeshëm. Mijëra njerëzve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre pasi ndërtesat u shkatërruan, urat u shembën dhe infrastruktura u dëmtua.
Një analizë nga studiuesit nga World Weather Attribution (WWA) ka gjetur “gjurmët” e ndryshimit të klimës në reshjet intensive që shkaktuan këto përmbytje vdekjeprurëse.
“Derisa nafta, gazi dhe qymyri të zëvendësohen me energji të rinovueshme, stuhitë si Boris do të lëshojnë reshje edhe më të mëdha, duke shkaktuar përmbytje që dëmtojnë ekonominë,” u shprehën studiuesit. Ata zbuluan se stuhia Boris ishte më e forta e regjistruar ndonjëherë në Evropën Qendrore, me një diferencë të konsiderueshme. Reshjet mbuluan gjithashtu një zonë më të madhe se përmbytjet e mëparshme historike në 1997 dhe 2002.
Ajri i ftohtë i Alpeve, duke takuar ajrin shumë të ngrohtë nga Mesdheu dhe Deti i Zi, krijoi një “stuhi të përsosur”, shpjeguan shkencëtarët. Ata shtuan se pavarësisht nga kushtet e pazakonta, ndryshimet klimatike e bënë stuhinë Boris më intensive dhe më të mundshme.
Duke përdorur vëzhgimet e motit dhe modelet klimatike, u zbulua se ndryshimi i klimës ka bërë që reshjet e forta katërditore të ishin të paktën dy herë më të mundshme dhe 7 për qind më të rënda. Nëse ngrohja globale arrin 2 gradë Celsius, stuhi të ngjashme do të bien me të paktën 5 për qind më shumë shi dhe do të ndodhin rreth 50 për qind më shpesh.
Kostoja e dëmeve të shkaktuara nga moti ekstrem në Evropë po vjen në rritje. Kompanitë e sigurimit të Austrisë kanë vlerësuar se dëmet mund të arrijnë në 1 miliard euro, ndërsa qeveria e Polonisë tha se do të shpërndajë 468 milionë euro ndihmë për rinovimin e shtëpive. Gjithashtu, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen premtoi 10 miliardë euro ndihmë për procesin e rindërtimit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.