Ndryshojnë afatet për ankesat në tenderë – Operatorët ekonomikë, më shumë kohë në dispozicion për ankimim në KPP
Ola Mitre / SCAN
Qeveria ka ndryshuar afatet e ankimimit për subjektet pjesëmarrës në procedura tenderuese. Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare operatorët ekonomikë të interesuar do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të paraqitur argumentet e tyre kundër vendimit të autoritetit apo entit kontraktor.
Sipas vendimit të ri, bizneset do të kenë të drejtën të ankohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik, brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit nga institucioni shtetëror për procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar dhe brenda 10 ditëve për procedurat e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar. Deri më tani afati ishte 5 ditë, për të gjitha llojet e procedurave tenderuese.
Ankimimi i vendimeve të institucioneve për fituesit në tenderë është një e drejtë e çdo subjekti që merr pjesë në një procedurë prokuruese e që nuk bie dakord me vlerësimin e kryer nga autoriteti kontraktor. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2023 u regjistruan 866 ankesa, që përfshijnë 205 autoritete kontraktore, teksa ankimimet u depozituan nga 291 operatorë ekonomikë. Te ky numër përfshihen edhe ankesa për kriteret e tenderit, që shpesh herë konsiderohen si kufizues dhe diskriminues nga operatorë të ndryshëm ekonomikë.
Ndërkaq, referuar vendimeve në shumë raste Komisioni i Prokurimit Publik iu ka dhënë të drejtë operatorëve ekonomikë, duke urdhëruar autoritetet kontraktore ndryshimin e fituesve apo dokumenteve të tenderit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.