Ngadalësimi i Gjermanisë “tremb” Europën – Arsyet kryesore janë inflacioni, masat shtrënguese dhe thatësira
Varësia shumë e fortë nga gazi rus, që e ka shtyrë inflacionin përtej çdo pritshmërie, + 8.5% në bazë vjetore, po ngadalëson ekonominë në Gjermaninë dhe po frikëson pjesën tjetër të Europës. Akoma dhe më shqetësuese është panorama e dimrit të ardhshëm, me objektivat e depozitimit të gazit në rrezik. Qeveria Scholz e cila ndërkohë ka vendosur që ngrohja në ndërtesat publike nuk mund të kalojë 19 gradë po përballet dhe me tkurrjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, i cili në gjysmën e dytë të vitit shënoi pikën zero, duke hapur një perspektivë të paprecedentë recesioni.
Logjistika e brendshme është në krizë, dhe i shtohet shumë pengesave të logjistikës botërore, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. Prandaj nuk është për t’u habitur që indeksi Zeë, i cili mat ndjenjën e investitorëve gjermanë, ka rënë në minimum që nga viti 2008. Dhe nëse lokomotiva e Europës ndalet, do të ketë pasoja për Italinë, partnerin e parë tregtar të Berlinit, që në gjysmën e dytë të vitit shënoi një rritje të shkëlqyer + 1% të PBB-së dhe, ndryshe nga Gjermania, mund të mbështetet më shumë në rimëkëmbjen e turizmit.
Qeveria gjermane, e vetëdijshme për situatën, prej javësh u dërgon qytetarëve mesazhe qetësuese. “Askush nuk do të mbetet vetëm,” premtoi kancelari Olaf Scholz, duke njoftuar një paketë të re ndihme për bizneset dhe familjet. Një masë e vendosur pasi Brukseli iu përgjigj ‘jo’ kërkesës së qeverisë Scholz për të hequr plotësisht TVSH-në për taksën e re dhe të diskutueshme të vendosur mbi çmimin e gazit. Vetë kancelari konfirmoi gjithashtu se mbyllja e tre termocentraleve bërthamore mund të shtyhet.
Niveli i depozitimit të gazit, tani në 77.8%, pritet të rritet në 85% deri më 1 tetor dhe më pas në 95% një muaj më vonë. Por kreu i rregullatorit të energjisë, Klaus Muller, parashikon se objektivi prej 95% nuk do të përmbushet. Dhe, në një intervistë për “Financial Times”, ai shpjegoi se, për të shmangur racionimin, Gjermania duhet të ulë konsumin e gazit me 20%. Kjo për shkak se flukset nga Rusia janë tkurrur me rreth 80% dhe nuk janë zëvendësuar plotësisht.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.