Një eksperiment i jashtëzakonshëm ekonomik – Çfarë ndodhi në Indi, vendi që hoqi kartmonedhat brenda natës
Gjashtë vite me parë, saktësisht më 8 nëntor 2016, kryeministri indian Narendra Modi doli urgjent në televizion për të njoftuar heqjen e pothuajse të gjithë kartmonedhave në ekonominë e shtatë më të madhe në botë. Pa asnjë paralajmërim, pa informuar as anëtarët e kabinetit të tij, Modi njoftoi se indianët kanë disa javë për të depozituar, ose shkëmbyer kartmonedhat e tyre. Përndryshe, ato do të bëhen të padobishme.
Qeveria e Indisë përdori termin teknik “demonetizimi” për të përshkruar strategjinë e saj që synon goditjen e korrupsionit dhe ekonomisë së madhe të zezë të vendit. Ai supozohej të ishte një hap i madh modernizimi për Indinë, duke e vendosur ekonominë në një rrugë për t’u bërë më moderne, më elektronike.
Modi njoftoi se kartmonedhat 1000 dhe 500 rupi nuk do të ishin më të vlefshme. Indianët duhej të vinin në banka dhe t’i shkëmbenin këto kartëmonedha me të reja prej 500 dhe 2000 rupi. Praktikisht, kjo nënkuptonte se 86% e kartmonedhave në vend nuk mund të përdoreshin më.
Momentet që pasuan ishin dramatike. Në çdo cep të Indisë, njerëzit hoqën dorë nga ajo që po bënin dhe vrapuan në banka për të shkëmbyer paratë e tyre. Jashtë bankave u krijuan rradhë pafund, duke mbushur rrugët me njerëz që prisnin.
Ndërkohë, Modi nuk kishte urdhëruar që kartmonedhat e reja të printoheshin paraprakisht. Kështu, për muaj të tërë pas njoftimit, India u përball me mungesa dramatike të parave, me ATM-të që funksiononin bosh dhe indianët që prisnin në radhë për orë të tëra, shpesh më kot. Stresi i shtyu disa në vetëvrasje, të tjerë vdiqën nga ataku në zemër duke pritur në radhë. Bizneset falimentuan sepse nuk kishte kartmonedha.
Pse e bëri Modi gjithë këtë? Ndërsa paratë dominonin ekonominë indiane, evazioni fiskal ishte I përditshëm. Shifrat zyrtare treguan se në vitin 2013, vetëm 1% e popullsisë kishte paguar tatimin mbi të ardhurat. Të gjithë kishin fshehur para të pista, në një masë më të vogël, ose më të madhe. Edhe më të varfërit kishin disa mijëra rupi të kursyera për pajën e vajzës së tyre, shkollimin e fëmijëve ose shpenzimet e urgjencës mjekësore.
Disa, natyrisht, kishin shumë më tepër. Edhe në blerjet e pasurive të paluajtshme, ishte e zakonshme që gjysma e çmimit të paguhej me para në dorë, duke rezultuar që blerësit të shfaqeshin me valixhe plot me kartmonedha.
Me madhësinë e ekonomisë gri të Indisë të vlerësuar në 20% të PBB-së, Modi donte të nxirrte në dritë paratë e zeza që fshiheshin në hijet e ekonomisë në hije. Indianët mund të depozitonin aq para sa të donin, por të gjitha depozitat mbi 250,000 rupi do të duhej të verifikoheshin. Për shumat më të mëdha se kufiri, depozituesit duhej të vërtetonin se ishin tatuar mbi ato të ardhura. Nëse nuk mund ta bënin këtë, do të paguanin taksën e plotë dhe një gjobë 200%.
Çfarë ndodhi më në fund? Demonetizimi thuhet se ka frenuar rritjen e ekonomisë së Indisë në muajt e parë të zbatimit të tij. Ekonomistët perëndimorë pranojnë se statistikat e Indisë nuk janë plotësisht të besueshme, por të gjitha provat tregojnë për përkeqësimin e kushteve ekonomike: Rënia e aktivitetit ekonomik ishte e dukshme, me analistët që theksonin se vendi dukej më i errët.
Sipas të dhënave të bankës qendrore, rezulton se eksperimenti i demonetizimit ka dështuar. Dhe kjo sepse 99% e vlerës së kartmonedhave të vjetra që u hoqën nga qarkullimi gjetën rrugën e tyre përsëri në sistemin financiar. Provat tregojnë se kriminelët dhe ata që ruanin paratë e zeza gjetën një mënyrë për të shkëmbyer kartmonedhat e tyre me ato të reja, ashtu si gjithë të tjerët.
Opozita pretendoi se ky eksperiment i kushtoi Indisë 1.5 milionë vende pune, 1.13 miliardë dollarë në shtypjen e kartmonedhave të reja dhe një rënie prej 1.5 pikë përqindje në rritjen ekonomike.
Megjithatë, deri në një masë, sistemi bankar dhe modernizimi i ekonomisë përfituan, pasi miliona indianë hapën llogari bankare për herë të parë në jetën e tyre. Sot, në dyqane, shitësit zakonisht i japin klientit dy çmime: një nëse ai synon të paguajë me kartë dhe një tjetër, dukshëm më i ulët, nëse ai do të japë para’ cash.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.