OpenAI sjell projektin “Strawberry” – Modeli i ri, i aftë të “arsyetojë” para se të përgjigjet
Kristi Ceta/SCAN
OpenAI i mbështetur nga Microsoft po përgatitet të lançojë serinë “Strawberry” të modeleve të inteligjencës artificiale, të dizajnuara për të shpenzuar më shumë kohë për të përpunuar përgjigjet e pyetjeve në mënyrë që të zgjidhin probleme të vështira.
Modelet janë të afta të arsyetojnë përmes detyrave komplekse dhe mund të zgjidhin probleme më sfiduese sesa modelet e mëparshme në shkencë, kodim dhe matematikë, tha kompania në një postim në blog.
OpenAI përdori emrin e koduar Strawberry për t’iu referuar projektit së brendshmi, ndërsa i quajti modelet e shpallura o1 dhe o1-mini.
Noam Brown, një studiues në OpenAI i fokusuar në përmirësimin e arsyetimit në modelet e kompanisë, konfirmoi në një postim në platformën e mediave sociale X se modelet ishin të njëjta me projektin Strawberry.
“Jam i emocionuar të ndaj me ju të gjithë frytin e përpjekjes sonë në OpenAI për të krijuar modele të afta për arsyetim të përgjithshëm,” shkroi Brown.
OpenAI tha se modeli o1 realizoi 83% të provimit kualifikues për Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës, krahasuar me 13% të modelit të mëparshëm, GPT-4o. Modeli gjithashtu përmirësoi performancën në pyetjet e programimit konkurrues dhe tejkaloi saktësinë e nivelit të doktoraturës njerëzore në disa probleme shkencore.
Brown tha se këto rezultate ishin arritur me anë të një teknike të njohur si arsyetimi “zinxhiri i mendimit”, i cili përfshin zbërthimin e problemeve komplekse në hapa më të vegjël logjikë.
Studiuesit kanë vërejtur se performanca e modelit në problemet komplekse përmirësohet kur nxitet nga përdoruesi. OpenAI tani e ka automatizuar këtë aftësi, në mënyrë që modelet të mund t’i zgjidhin problemet vetë, pa nevojë për nxitje nga jashtë.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.