Opozita greke sulmon qeverinë për keqmenaxhimin e zjarrit që dogji periferitë e Athinës!
Edel Strazimiri / SCAN
Të mërkurën, zjarrfikësit në kryeqytetin grek po punonin për të kontrolluar zonat e mbetura të zjarrit, duke shkatërruar rreth 400 kilometra katrorë tokë. Anëtarët e opozitës dhe disa prej mediave të vendit ia kanë kthyer fajin qeverisë së qendrës së djathtë të Demokracisë së Re të Greqisë, pasi vendi mesdhetar vazhdoi të rrëmbehet nga një prej zjarreve më të këqija në vitet e fundit.
Partia opozitare e krahut të majtë të vendit, Syriza, kërkoi menjëherë nga qeveria të japë përgjigje se si zjarri “arriti të mbërrinte në strukturën urbane të Athinës” dhe të rishikonte efektivitetin e departamentit të zjarrit të vendit. Syriza ka kërkuar të dhëna GPS nga avionët e përfshirë në luftimin e flakëve, si dhe minuta nga një takim i koordinuar nga Organi i Mbrojtjes Civile të hënën, sipas transmetuesit grek Skai.
E marta shënon ditën e tretë të zjarreve, të cilat vranë një grua dhe shkatërruan 400 kilometra katrorë tokë në verilindje të kryeqytetit grek. Megjithëse erërat e forta kishin bërë që zjarri kryesor të shuhej deri të martën, departamenti i zjarrfikësve raportoi se ata ende po luftonin me qindra zjarre më të vogla që digjen ngadalë. Zjarri, i cili përparoi me shpejtësi nëpër shtëpitë e njerëzve, bëri gjithashtu që mediat e vendit të kritikojnë trajtimin e krizës nga qeveria. Mëngjesin pas zjarrit, gazeta Ta Nea mbante në faqen e saj të parë titullin “Mjaft më mjaft”.
Një shkrim i botuar në të përditshmen e majtë Efimerida ton Syntakton pretendonte se qeveria ishte plot me “arsyetime”. Ai fajësoi në mënyrë specifike kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis për dështimin në përmbushjen e një plani për të luftuar zjarret që ai bëri pasi një zjarr shkatërroi ishullin Evia në 2021.
Në një vizitë në bazën ajrore të Elefsinës pranë Athinës të mërkurën, kryeministri grek falënderoi operatorët e avionëve që fluturuan me aeroplanët që luftuan flakët, duke shtuar se qeveria kishte hedhur “themelet e para të rëndësishme” në kontrollin e zjarreve. Ai pranoi se qeveria e tij “gjithmonë po përpiqej të përmirësohej”.
“Ne nuk presim që zgjidhja të dalë vetëm nga ajri,” shtoi ai. “Kjo është një përpjekje totale në një kohë krize të madhe klimatike, të cilën mendoj se po e përjetojmë të gjithë. Ne duhet të bëhemi vazhdimisht më të mirë. Dhe nga çdo dështim yni ose nga ndonjë zjarr që shpëton, gjithmonë kërkojmë të mësojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë. ”
Qeveria greke ka qenë e shpejtë për të njoftuar masat mbështetëse për incidentin, me Mitsotakis që pritet të kryesojë një takim për krizën të martën. Banorët e prekur do të mund të aplikojnë për ndihmë financiare dhe kredi pa interes për të riparuar pronat e tyre të dëmtuara. Ata gjithashtu do të lirohen nga pagimi i taksës së pronës për tre vjet dhe pronarët e bizneseve për gjashtë muaj.
Është e paqartë se sa prona janë shkatërruar në zonat e prekura nga flakët, me mediat vendase që raportojnë se në Penteli të goditur nga zjarri, një në katër shtëpi u konsideruan të papërshtatshme për të jetuar. Autoritetet thanë se tre spitale, dy manastire dhe një shtëpi për fëmijë u evakuuan të hënën. Zona e prekur nga zjarret zakonisht strehon mijëra banorë, megjithëse shumë prej tyre besohet se kanë qenë me pushime verore.
Kritikët thonë se masat e qeverisë nuk shkojnë aq larg sa për të trajtuar shkakun rrënjësor të zjarreve ose për të parandaluar që ato të përsëriten. Sipas Efimerida ton Syntakton, masat ishin pak më shumë se “kontrolli i dëmit”.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.