OST, 160 mln euro investime në rrjetin elektrik – Programi 3-vjeçar: “Akomodim” i centraleve të rinj dhe linja unazore e interkonjeksioni
Ola Mitre / Scan
Gjatë periudhës 2025 -2027 Operatori i Sistemit të Tranmseitmit parashikon të kryejë 16 mld lekë investime apo rreth 160 mln euro për zhvillimin e rrjetit të transmetimit. Projektet kryesore që do të zhvillohen gjatë 3 – vjeçarit të ardhshëm bazohen në studimet e kryera nga kompania publike e transmetimit, ndërkohë që sipas dokumentit të siguruar nga TV SCAN, programi i investimit është fokusuar në 4 pika kryesore. Rikonstruksioni i linjave ekzistuese me normë të lartë amortimizmi dhe me rëndësi për sigurinë e sistemit, si dhe ndërtimi i linjave të reja unazore, duke rritur sigurinë e furnizimit janë 2 prej tyre.
Po ashtu, fokusi do të jetë te rritja e kapaciteteve akomoduese të rrjetit në funksion të mbështetjes së politikës së diversifikimit të burimeve të energjisë elektrike dhe lidhjen e centraleve të burimeve të rinovueshme të energjisë, që parashikohet t’i shtohen sistemit elektrik. Ndërkaq, pika e katërt e programit përfshin rehabilitimin dhe ndërtimin e linjave të reja të interkonjeksionit, duke bërë të mundur rritjen e shkëmbimeve ndërkufitare, sigurinë dhe besueshmërinë e operimit të rrjetit si dhe cilësinë e furnizimit me energji elektrike.
Në dokument specifikohet se nga 16 mld lekë investimeve të planifikuara, rreth 27% do financohen nga fonde të huaja, ndërsa pjesa tjetër parashikohet të realizohet me fondet e vetë kompanisë publike të transmetimit.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.