Paga minimale në Shqipëri bëhet 40 mijë lekë! Projekti i qeverisë: Brenda 2 vitesh, rritje deri në 45 mijë lekë
Pas pak javësh paga minimale në vend do të rritet në 40 mijë lekë. Kjo mund të cilësohet si një nga rritjet më të mëdha të pagës minimale të viteve të fundit, pasi nga 36 mijë lekë që u rrit pak muaj më parë, tashmë paga minimale do të shkojë në 40 mijë lekë.
“Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë dhe kur them shumë shpejt, domethënë çështje disa javësh. Do të fillojë të aplikohet brenda shumë pak muajsh për të gjithë.
Ne nuk duam që të ketë një pagë më të ulët se 40 mijë lekë në Republikën e Shqipërisë, qoftë në sektorin publik, qoftë në sektorin privat dhe nëse bëmë një përpjekje shumë serioze për të mbështetur 1 milionë shqiptarë, që nga pensionistët, tek kategoritë e tjera më në nevojë dhe tek të gjithë ata që kontribuojnë për shtetin, mbeti pa u adresuar pjesa e atyre më në nevojë që kontribuojnë në sektorin privat” deklaroi kryeministri Edi Rama në takimin me studentët e ekselencës.
Në vijim të fjalës së tij, kryeministri bëri me dije se projekti i qeverisë është që brenda dy vitesh, niveli i pagës minimale të arrijë 45 mijë lekë.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.