“Pasojat negative të Brexit do të vazhdojnë” – Rënia e tregtisë Britani-BE është intensifikuar vitet e fundit
Kristi Ceta/SCAN
Marrëveshja e Brexit ka shkaktuar një rënie të dukshme në tregtinë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së, dhe ka të ngjarë të vazhdojë të përkeqësohet, kanë paralajmëruar një grup ekonomistësh.
Një raport i ri i publikuar nga Shkolla e Biznesit e Universitetit Aston thotë se Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit e nënshkruar nga Londra dhe Brukseli, pasi të dyja palët ndërprenë plotësisht lidhjet, ka “efekte mbytëse të thella dhe të vazhdueshme” në ekonomi.
“Studimi thekson se ndikimet negative janë intensifikuar me kalimin e kohës, me 2023 që tregon rënie më të theksuara të tregtisë se vitet e mëparshme,” thanë në raport ekonomistët me bazë në Birmingham. “Kjo sugjeron që tranzicioni në marrëdhëniet tregtare Britani-BE pas Brexit nuk është thjesht një ndërprerje afatshkurtër, por reflekton ndryshime më të thella strukturore që mund të vazhdojnë.”
Mbretëria e Bashkuar është goditur nga vështirësitë ekonomike që kur votoi për t’u larguar nga BE në 2016 dhe më pas doli nga blloku në vitin 2020. Kjo u komplikua shpejt nga valët tronditëse globale dhe financiare të shkaktuara nga pandemia COVID-19 dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.
Midis 2021 dhe 2023, të dhënat mujore treguan një rënie prej 27% të eksporteve në Mbretërinë e Bashkuar dhe një rënie prej 32% në importet drejt BE-së dhe nga blloku, krahasuar me si do të kishte qenë situata pa Brexit. Shifrat në baza vjetore tregojnë se eksportet ranë me 17% dhe importet me 23%.
Marrëveshja e Brexit ka ndikuar gjithashtu në 27 vendet e mbetura të BE-së, por në përmasa të ndryshme. Eksportet e Mbretërisë së Bashkuar në Belgjikë dhe Irlandë pësuan reduktime më të buta, sipas raportit, ndërsa ndryshime më të konsiderueshme pati në Gjermani, Spanjë dhe Greqi. Për sa u përket importeve në Mbretërinë e Bashkuar, Holanda, Gjermania dhe Franca panë rënie të ndjeshme prej 51%, 32% dhe 23% respektivisht, sipas ekonomistëve.
Raporti i kërkon qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të kërkojë mënyra për të stabilizuar dhe përmirësuar ekonominë e vendit. Ai sugjeron hapjen e negociatave specifike me BE-në për të provuar dhe zbutur efektet në sektorët më të prekur nga Brexit.
Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit përmban ato që njihen si “klauzolat e rishikimit”, të cilat përcaktojnë datat për të rishikuar dhe vlerësuar zbatimin e të gjithë marrëveshjes çdo pesë vjet. Rishikimi i parë pritet në vitin 2026.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.