Peshqit rezultojnë pozitiv ndaj barnave farmaceutike – Studimi amerikan: ‘Gjetjet janë vërtet alarmante’!
Sipas një studimi të ri, peshqit kockë në brigjet e Floridës kanë rezultuar pozitivë për një koktej barnash farmaceutike, duke përfshirë ilaçe kundër depresionit dhe presionit të gjakut. Studimi tre-vjeçar u krye nga studiues në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës dhe Bonefish & Tarpon Trust (BTT), një organizatë jofitimprurëse me bazë në Miami, e fokusuar në ruajtjen e peshkut kockor dhe tarpon, thotë një njoftim për lajmet nga universiteti.
Peshqit kockë janë një familje peshqish që gjenden në të gjithë oqeanin Atlantik dhe Paqësor, dhe tarponët gjenden në oqeanet Atlantik dhe Indo-Paqësor.
Studiuesit morën mostra gjaku dhe indesh nga 93 peshq kockë në Biscayne Bay dhe Florida Keys që nga viti 2018, kur filloi studimi. Ata zbuluan se çdo peshk kockor kishte mesatarisht shtatë farmaceutikë të pranishëm, duke përfshirë medikamente për presionin e gjakut, ilaqet kundër depresionit, ilaçet për trajtimin e prostatës, antibiotikët dhe qetësuesit e dhimbjes, sipas njoftimit. Një peshk kishte gjithsej 17 farmaceutikë të ndryshëm në indet e tij.
Gjetjet pasqyrojnë një problem serioz me ndotjen e oqeanit nga ujërat e zeza njerëzore, tha universiteti.
“Këto gjetje janë vërtet alarmante,” tha në njoftim Jennifer Rehage, një ekologe bregdetare dhe peshku dhe profesoreshë e asociuar në universitet. “Farmaceutikët janë një kërcënim i padukshëm, ndryshe nga lulëzimi i algave apo ujërat e turbullta. Megjithatë, këto rezultate na tregojnë se ato janë një kërcënim i frikshëm për peshkimin tonë dhe nxjerrin në pah nevojën urgjente për të adresuar çështjet tona të vjetra të infrastrukturës së ujërave të zeza.”
Ndotësit farmaceutikë gjithashtu mund të ndikojnë negativisht në sjelljen e peshkut kockor. Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) i kategorizon peshqit kockë si “gati të kërcënuar”, me popullsinë e tyre në rënie për shkak të një kombinimi të peshkimit, humbjes së habitatit dhe ndotjes së ujit.
Që nga viti 2013, peshqit kockë kanë qenë një specie vetëm për kapjen dhe lëshimin në Florida, sipas Komisionit për Ruajtjen e Peshkut dhe Botës së Egër në Florida. Peshqit janë objektiva emocionues për peshkatarët rekreativë sepse janë të shpejtë dhe të vështirë për t’u kapur dhe mund të arrijnë madhësi mbresëlënëse deri në tre metra të gjatë. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.