Policia Federale Gjermane i dhuron 5 automjete dhe një sërë pajisjesh logjistike me vlerë rreth 560 mijë euro Policisë së Shtetit
Nëpërmjet një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare Policia e Shtetit ka bërë me dije se Policia Federale Gjermane ka dhuruar 5 automjete dhe një sërë pajisjesh të tjera logjistike, të cilat i shtohen flotës operacionale të Policisë së Shtetit.
Automjetet dhe pajisje të tjera u dhuruan nga Policia Federale Gjermane dhe ambasada e Gjermanisë, në Shqipëri.
Donacioni me vlerë rreth 560 000 euro, iu dorëzua Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nga Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, SH. T. Z. Peter Zingraf.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka falënderuar z. Zingraf, dhe përmes tij, homologun dhe kolegët e Policisë gjermane, për këtë donacion tejet të rëndësishëm për Policinë e Shtetit.
Ky donacion përbëhet nga 5 automjete, nga të cilat, 1 autoambulancë dhe pajisje të tjera, me vlerë rreth 560 000 euro. Ky set logjistik do të rritë kapacitetet profesionale të Departamentit për Kufirin dhe Migracionit dhe të njësive speciale, shpejtësinë e reagimit operacional të tyre, në terren, si dhe do të ndikojë në përmbushjen sa më efikase të detyrave funksionale të punonjësve të Policisë, në drejtim të luftës kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.
Zingraf gjatë fjalës së tij, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për qasjen e re profesionale dhe për klimën bashkëpunuese që ka implementuar në Policinë e Shtetit.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.