Polonia synon sanksionimin e tubacionit rus të naftës – Varshava i kërkon ndihmë Berlinit për t’i shpëtuar penaliteteve
Polonia kërkon mbështetjen e Gjermanisë që sanksionet e Bashkimit Europian të prekin seksionin polako – gjerman të tubacionit rus Druzhba, në mënyrë që Varshava të mund të braktisë një marrëveshje për të blerë naftë ruse vitin e ardhshëm pa paguar penalitete.
Varshava dhe Berlini janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje në mënyrë që Polonia të koordinojë furnizimet me naftë në Gjermani nëpërmjet Gdansk dhe një pjese të Druzhba për të lehtësuar blerjen nga Polonia në rafinerinë Schvedt në pronësi ruse në Gjermani.
Bashkimi Europian është zotuar që të ndalojë blerjen e naftës ruse përmes rrugëve detare duke filluar që nga 5 dhjetori i këtij viti, por Druzhba aktualisht përjashtohet nga këto sanksione. Kjo situatë përbën një problem për rafinerinë polake PKN Orlen, që ka një marrëveshje afatgjatë për blerjen e naftës ruse nëpërmjet tubacionit dhe do të duhet të paguajë penalitetet për prishjen e kontratës.
Nëse BE do të vendoste sanksione ndaj Druzhba – ose të paktën ndaj seksionit të saj verior që furnizon Poloninë dhe Gjermaninë – të dy vendet do të ishin në gjendje të dilnin nga angazhimet e tyre për importin e naftës ruse, pa penalitete.
Seksioni jugor i tubacionit furnizon Hungarinë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke, të cilat, ndryshe nga Polonia dhe Gjermania, do të luftojnë për të diversifikuar importet e tyre të naftës.
Ministria polake e klimës dhe ministria gjermane e ekonomisë janë në fazën përfundimtare të bisedimeve për një memorandum mirëkuptimi mbi logjistikën e naftës, i cili mund të zhbllokojë flukset jo-ruse dhe të ndihmojë rafinerinë kryesore të Polonisë të ndjekë interesat e saj në Schvedt.
Gjermania mbetet e angazhuar të mos përdorë naftën ruse nga viti 2023 dhe po punon për një zgjidhje me Poloninë për të siguruar furnizimin me Schvedt. Përmbushja e premtimeve nga Polonia dhe Gjermania për të ndaluar blerjen e naftës ruse kërkon rregullim në nivel të BE-së dhe të dy vendet po bashkëpunojnë për ta arritur këtë.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.