Portugali, thatësira rrit çmimin e ujit – Vendi po vuan nga i nxehti ekstrem në muajt e fundit
Përballë një thatësire të paprecedentë, qeveria e Portugalisë ka rekomanduar që 43 bashki të rrisin përkohësisht çmimin e ujit për konsumatorët më të mëdhenj dhe të pezullojnë pastrimin e rrugëve dhe ujitjen e parqeve dhe kopshteve publike.
Portugalia po vuan nga thatësira e rëndë ose ekstreme pas valëve të të nxehtit në muajt e fundit, tha instituti meteorologjik i vendit. Ministri i Mjedisit, Duarte Cordeiro, tha se nga 61 diga në Portugali, 10 janë në gjendje kritike me vëllimin e ujit të ruajtur nën 20% të kapacitetit të tyre. Këto diga pothuajse të zbrazëta furnizojnë me ujë 40 komuna në pjesën veriore dhe qendrore të vendit dhe tre në Algarve në jug. Megjithëse vendi në tërësi ka rezerva të mjaftueshme uji për dy vjet, uji në 10 digat në gjendje kritike është i mjaftueshëm vetëm për një vit, shpjegoi Cordeiro.
Në total, në Portugali ka 278 komuna që janë përgjegjëse për furnizimin me ujë të qytetarëve të tyre. Në 43 bashkitë më të prekura, qeveria rekomandoi, për periudhën kur thatësira është më e rëndë, të rritet çmimi i ujit për familjet dhe kompanitë që konsumojnë më shumë se 15 metër kub në muaj. Një familje mesatare në Portugali konsumon 10 metra kub ujë në muaj.
Gjithashtu, duhet “të pezullojnë përkohësisht përdorimin jo thelbësor të ujit, kryesisht për pastrimin e rrugëve dhe ujitjen e gjelbërimin, si dhe në shatërvanë dhe pishina”, theksoi ministry i Mjedisit. Ai shtoi se qeveria do të ndihmojë që këto masa të zbatohen menjëherë, ndonëse vlerësoi se autoritetet komunale po i respektojnë rekomandimet.
Në shkurt, qeveria e Portugalisë bëri thirrje që gjashtë diga të ndalojnë prodhimin e energjisë elektrike dhe që nga gushti autoritetet kanë ndaluar ujitjen e fushave të golfit, parqeve publike dhe kopshteve në Algarve për të shmangur racionimin e konsumit të ujit nga qytetarët.
SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.