“PPP në shëndetësi, 47.5 mln euro për shërbime të pakryera” – Raporti: Për 4 kontratat janë dhënë 189 mln euro, investimet e tyre as 9% e shumës
5.6 mld lekë apo 47.5 milion euro është vlera që kanë përfituar katër kontratat e partneritetit publik privat në shëndetësi për shërbime të pakryera e në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Kjo është një prej gjetjeve të raportit analitik të hartuar nga organizata “Together for Life”, që bazohet në raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Studimi merr në konsidratë 4 koncesionet e e dhëna nga qeveria shqiptare gjatë periudhës 2015-2020, e më konkretisht sterilizimin, dializën, check-up-in dhe laboratorët, vlera e të cilave arrin në 45,5 miliardë lekë ose 376 milionë euro. Deri në fund të vitit 2022 kompanitë mbajtëse të këtyre koncesioneve kanë përfituar 22.3 miliardë lekë (189 milionë euro) ose 50% të vlerës totale, ndërkohë që vlera e investimeve është shumë e ulët në raport me të ardhurat që kanë kompanitë.
Sipas raportit, për të gjithë periudhën e koncesionit, të katër kontratat do të përfitojnë nga buxheti i shtetit 45,4 miliardë lekë pa TVSH, por ndërkohë investimet që ato parashikojnë nuk janë më shumë se 4,3 miliardë lekë ose rreth 9% e fondeve të përfituara. “Vlerën më të ulët të investimit në raport me të ardhurat e ka koncesioni i Checkup.
Kompania ka parashikuar të investojë vetëm 1,9% të të ardhurave”, – thuhet ndër të tjera në raport. Po ashtu, vlerësohet se katër kontratat koncesionare, janë shndërruar në barrë për buxhetin e shëndetësisë, duke ndikuar në një shpërndarje jo te drejtë të fondeve në shërbime jo prioritare, ndërkohë që sistemi shëndetësor shqiptar historikisht ka vuajtur nga nën-financimi.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.