Procedura për çmimin e energjisë – Në fuqi, vetëm pas vendimit të Bordit. OSHEE s’ka aplikuar ende në ERE
Shpalosja e planit të qeverisë për tarifimin me 42 lekë/kwh për konsumin e energjisë mbi 800 kwh nuk është hallka fundore, pasi kjo skemë nuk mund të aplikohet në rast se nuk vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë.
Sipas procedurës standarde do të duhet që Furnizuesi i Shërbimit Universal, që është një nga kompanitë e OSHEE Group, të dorëzojë një aplikim pranë ERE-s, ku do të duhet të argumentojë arsyet e kësaj kërkese si dhe treguesit ekonomikë se përse kërkohet ky nivel tarife. Zyrtarisht, ERE tha për TV SCAN se deri të premten pranë këtij dikasteri aplikimi nuk ka mbërritur ende.
Ndërkaq, pas dorëzimit do të nisë shqyrtimi i kërkesës, ndërkohë që çmimi final që do të aplikohet miratohet nga Bordi i Entit Rregullator të Energjisë. Nuk kanë munguar rastet kur ky i fundit ka rrëzuar kërkesat e OSHEE apo OST. 2 prej këtyre rasteve janë përcaktimi i tarifat e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në muajin prill të këtij viti, ku u vendos që tarifa mesatare e transmetimit të ishte rreth 40% më pak se ajo e kërkuar nga OST, ndërkohë që edhe tarifat e shpërndarjes u përcaktuan më të ulta sesa kërkesa e OSHEE.
Sipas skemës së propozuar nga qeveria energjia e konsumuar deri në 800 kwh do të tarifohet me 9.5 lekë/kwh. Ndërkohë që, çdo kilovat mbi këtë fashë do të duhet të tarifohet me 42 lekë/kwh. Kjo nënkupton se nga rritja e çmimit preken të gjitha ato familje, që paguajnë mbi 9 200 lekë në muaj për energjinë elektrike. Në total, sipas të dhënave zyrtare janë 48 500 familje, që do të ndikohen nga rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Ola Mitre / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.