Projekti për Portin e Durrësit, BE anulon grantin 28 milionë euro
Pas rezervave publike për projektin e transformimit të Portit të Durrësit, Bashkimi Europian ka avancuar duke ndërmarrë një akt konkret kundër; anulimin e një granti 28 milionë euro që ishte destinuar për investim në këtë port.
Ky grant ishte parashikuar që të mbështeste realizimin e projektit për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 të terminalit lindor të portit, që shërbejnë për ngarkim dhe shkarkimin e anijeve që transportojnë naftë dhe gaz.
Në një reagim dhënë në media, zyra e BE-së e ka arsyetuar aktin me faktin se porti aktual e ka ndryshuar qëllimin e përdorimit e si rrjedhojë projekti është modifikuar.
Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Europian shpreh rezerva për projektin e qeverisë shqiptare për të transferuar portin e Durrësit në Porto Romano. Ndërkohë, pritet që qeveria të marrë vendim për hapjen e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar. Ndërtimi i portit tregtar në zonën e Porto Romanos i hap rrugën projektit të transformimit të hapësirës që krijohet nga transferimi i portit ekzistues, një projekti 2 miliardë dollarë ku zhvilluesi me të cilin qeveria ka nënshkruar marrëveshje është Muhammed El Alabbar.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.