Punimet për Unazën e Madhe – Rama: Urat mbi lumin e Tiranës, 70% e realizimit fizik
Teksa punimet në Unazën e Madhe të Tiranës parashikohet të përfundojnë në datën 31 dhjetor, kryesminitrie Edi Rama ka publikuar ecurinë e punimeve në një prej lot-eve të rrugës, që përfshin ndërtimin e urave mbi lumin e Tiranës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri me dije se realizimi fizik ka kaluar masën 70%. Në muajin maj, kur është bërë përditësimi i fundit mbi ecurinë e punimeve në këtë lot të rrugës, realizimi rezultonte në masën 46.4%, çka do të thotë se në gati 5 muaj punimet kanë avancuar me 23.6%.
Ndërkaq, vëzhgimet në terren tregojnë një intensifikim të punës nga firmat kontraktore, duke avancuar drejt përfundimit të kësaj vepre infrastrukturore edhe në lotet 4, 5, 6 dhe 7 që përfshijnë unazën e jashtme të Tiranës.
Segmenti fillon në afërsi të Shkozës, duke zbritur në faqen veriore të Kodrës së Priftit, drejt zonës së Kinostudios. Më pas vazhdon drejt veriut, zbret drejt lumit të Tiranës e më pas bëhet bashkimi me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz.
Ndërtimi i këtyre lot-eve do të shënojë dhe bashkimin me segmentet e përfunduar tashmë, duke sjellë lehtësim të trafikut në kryeqytet.
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.