Pushime të pakufizuara për të punësuarit në Microsoft – “Leja e papërcaktuar” hyn në fuqi duke filluar nga 16 janari
“Sa ditë leje më kanë mbetur?’ është një pyetje që të punësuarit në Microsoft nuk duhet t’ia bëjnë më asnjëherë vetes. Kompania e themeluar nga Bill Gates dhe Paul Allen ka vendosur të dhurojë kohë të lirë të pakufizuar.
‘Leja e re’ e pacaktuar do të jetë vetëm për ata që kanë një kontratë me Microsoft në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbeten të përjashtuar për momentin bashkëpunëtorët dhe të punësuarit që jetojnë në vende të tjera.
Drejtoresha e burimeve njerëzore të Microsoft, Kathleen Hogan, në një e-mail dërguar nënpunësve shkruan se mënyra se si, kur dhe ku kryhet një punë ka ndryshuar. Dhe duke u transformuar gradualisht, lind natyrshëm domosdoshmëria për të rimodernizuar politikën e pushimeve sipas një modeli më fleksibël.
Rregullorja e re do të hyjë në fuqi duke filluar nga 16 janari i këtij viti. Dhe të sapo punësuarit do të mund të përfitojnë, duke mos u shqetësuar për plotësimin e ditëve të punës para se të planifikojnë pushimet.
Të punësuarit e Microsoft që kanë leje të prapambetur do të marrin një shpërblim financiar për ditët e lira të pashfrytëzuara.
Në dy vitet e fundit nënpunësit e Microsoft kanë përfituar dhe lehtësira të tjera: punën e përhershme nga shtëpia – për një kuotë më të ulët se 50% e javës së punës – një bonus në para prej 1500 dollarësh për t’u përballur me pasojat e pandemisë.
Në muajin tetor të një viti më parë Microsoft pushoi nga puna një mijë anëtarë të personelit. Dhe kompani të tjera teknologjike si Bitpanda a Netflix – janë mbështetur tek modeli i pushimeve të pakufizuara. Gjithësesi Microsoft është kolosi i parë teknologjik me më shumë se 100 mijë të punësuar që heq cdo kufizim për kohën e lirë të të punësuarve të tij.
Dorina Kurtaj / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.