Qeset dhe çantat e pazarit të ri-përdorshme: Po sa herë duhet t’i ripërdorni?!
Beteja kundër qeseve plastike me përdorim të vetëm mund të mos fitohet, por padyshim që është duke u zhvilluar. Kufizime për përdorimin e tyre janë vendosur në shumë vende në mbarë botën dhe në shumë raste, këto përpjekje kanë qenë të suksesshme në eliminimin e shitjeve të reja të qeseve plastike të holla e të thara që fluturojnë në pemë, bllokojnë rrugët ujore, mikroplastikën në tokë dhe ujë dhe dëmtojnë jetën detare. Por kjo histori suksesi mjedisor maskon një problem tjetër.
Shumë prej nesh po mbyten në çanta prej pëlhure të ripërdorshme ose në qese plastike më të trasha dhe më të qëndrueshme që shitësit me pakicë i shesin me çmim të ulët ose ua japin klientëve si një alternativë gjoja më e gjelbër ndaj plastikës njëpërdorimshe.
Aktivistët thonë se këto grumbullime qesesh po krijojnë probleme të reja mjedisore, me qeset e ripërdorshme që kanë një gjurmë karboni shumë më të lartë se qeset e hollë plastike. Sipas një vlerësimi mahnitës, një qese pambuku duhet të përdoret të paktën 7100 herë për ta bërë atë një alternativë vërtet miqësore me mjedisin ndaj një qese plastike konvencionale.
Përgjigja se cili është zëvendësimi më i gjelbër për një qese plastike njëpërdorimshe nuk është e drejtpërdrejtë, por këshilla përmblidhet në këtë: Ripërdorni çfarëdo qese që keni në shtëpi, sa më shumë që të mundeni. Ndalimet dhe kufizimet e qëllimshme të plastikës për një përdorim në disa raste kanë pasoja të padëshiruara.
Kur bëhet fjalë për vlerësimin e ndikimit mjedisor të një qese gjatë jetëgjatësisë së saj, ka shumë gjëra të ndryshme për t’u marrë parasysh: materiali, pesha e saj, procesi i prodhimit dhe mënyra se si asgjësohet. Një qese plastike pazari e rëndë e bërë me të njëjtin material si qesja plastike klasike për një përdorim, por dyfishi i peshës ka dyfishin e ndikimit mjedisor, nëse nuk ripërdoret më shumë herë, kjo është arsyeja pse një qese e hollë plastike për një përdorim mund të duket e mirë si zgjedhje bazuar në ndikimin e saj klimatik.
Çelësi për qeset plastike të rënda është ripërdorimi i tyre besnik dhe asgjësimi i tyre me kujdes në mënyrë që të mos përfundojnë si ndotje plastike.
Një raport i prodhuar për Programin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara në 2020 zbuloi se një qese e trashë dhe e qëndrueshme polipropileni (PP) (ato shpesh kanë një ndjesi të endur) duhet të përdoret për rreth 10 deri në 20 herë në krahasim me një qese plastike të një përdorimi, ndërsa një qese më e hollë por gjithsesi qese polietileni (PE) e ripërdorshme 5 deri në 10 herë. Megjithatë, ai theksoi se qesja plastike për një përdorim është mishërimi i kulturës së hedhjes dhe vetëm kjo ishte ndoshta një arsye për të shmangur përdorimin e tyre.
Canta e pambukut është bërë një simbol i statusit të lirë për të gjithë markat dhe individët që duan të shmangin plastikën dhe të tregojnë kredencialet e tyre jeshile. Por pambuku është një kulturë me burime intensive që kërkon shumë ujë dhe përdor një sasi të konsiderueshme pesticidesh dhe plehërash, të cilat fusin nitrate në tokë dhe rrugët ujore dhe rezulton në krijimin e oksidit të azotit, një gaz serrë. Kjo do të thotë se gjurma e saj mjedisore është më e madhe nga sa vlerësojnë shumë njerëz.
Sipas raportit të UNEP-it, një qese pambuku duhet të përdoret 50 deri në 150 herë për të pasur më pak ndikim në klimë krahasuar me një qese plastike të një përdorimi.
Një raport i Agjencisë Daneze për Mbrojtjen e Mjedisit të vitit 2018 sugjeroi që një qese pambuku duhet të përdoret të paktën 7100 herë për të kompensuar ndikimin e saj në mjedis, kur krahasohet me një qese plastike klasike supermarketi që ripërdoret një herë si qese plehrash dhe më pas digjet.
Ai raport shqyrtoi 15 tregues të ndryshëm mjedisorë, duke përfshirë ndryshimin e klimës, varfërimin e ozonit, ndotjen e ajrit, përdorimin e ujit dhe përdorimin e tokës. Megjithatë, kur u përqendrua vetëm në ndikimin e pambukut në klimë, ai sugjeroi që një qese pambuku do të duhej të ripërdorej të paktën 52 herë në përputhje me raportin e UNEP.
Raporti danez është ai që njihet si Vlerësimi i Ciklit të Jetës, një grup metodash që shkencëtarët përdorin për të vlerësuar kostot mjedisore që lidhen me një produkt gjatë gjithë jetëgjatësisë së tij. Raporti i UNEP shqyrtoi 10 Vlerësime të Ciklit të Jetës të prodhuara në një sërë vendesh të ndryshme që nga viti 2010. Megjithatë, një qasje e tillë shpesh mbështetej në supozime dhe thjeshtime; dhe rezultatet shpesh ndryshonin shumë.
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se qeset plastike janë përgjegjëse për një pjesë të konsiderueshme të mbeturinave, por luajnë një rol shumë të vogël në krizën klimatike në krahasim me produkte dhe mallra të tjera, thuhet në raportin e UNEP. Si e tillë, është ndoshta shumë më e rëndësishme të mendoni se çfarë po vendosni në çantën tuaj të blerjes dhe thjesht të konsumoni më pak.
Konsumatorët mund të inkurajojnë kompanitë të huazojnë çanta me një tarifë të rimbursueshme, në vend që t’u shesin konsumatorëve (të cilët kanë harruar bagazhin e ripërdorshëm) çanta të rënda që nuk u duhen.
Edel Strazimiri / SCAN
Material i përgatitur nga portali SCAN TV.
Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.